Kosumi e Dugolli i bashkohen PDK-së
Prishtinë, 12 nëntor - Tre drejtuesit e Lëvizjes Qytetare për Demokraci, Bajram Kosumi, Bujar Dugolli dhe Merxhan Avdyli do të jenë pjesë e listës së PDKsë në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Oponentë të fuqishëm me Partinë Demokratike të Kosovës në periudhën 2004-2007, kur njëri ishte kryeministër, e tjetri ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Kosumi dhe Bujar Dugolli, kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit me PDKnë.
Kosumi e Dugolli, ditë më parë kanë formuar Lëvizjen Qytetare për Demokraci. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj e ka konsideruar si nder për PDKnë që ta ketë në mesin e saj Bajram Kosumin, kurse ky i fundit ka thënë se me PDKnë dhe me njerëzit që udhëheqin partinë, e lidhin 30 vjet punë e përbashkët.
Prioritetet dhe programi ynë në vazhdimësi kanë pasur pika të përbashkëta dhe tash ky fuzionim i përbashkët edhe i fuqisë intelektuale, edhe i vijave programore, edhe i aktivitetit të përbashkët, ka thënë Limaj. Ndërkaq, Kosumi ka thënë se kjo marrëveshje bëhet me qëllim të ndihmesës për proceset politike në Kosovë, çuarjen e vendit përpara dhe krijimit të një qeverie stabile.
Viteve të fundit, kemi pasur pozitë dhe opozitë, dhe shyqyr që kemi pasur, por ne kemi qenë pozitë e opozitë, por kemi vazhduar të mbetemi miq edhe kur e kemi kritikuar njëri-tjetrin dhe ky është një shembull që duhet të mësohet në politikën e Kosovës, ka thënë Kosumi. Me marrëveshjen e nënshkruar, Lëvizja Qytetare për Demokraci ka siguruar tri pozita në listën zgjedhore të PDKsë. Bajram Kosumi, Bujar Dugolli dhe Merxhan Avdyli pritet të jenë kandidatët e kësaj lëvizjeje në listën e PDKsë për deputetë.