Kosovës ti ofrohet liberalizimi i vizave
Vjenë, 27 shtator - Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar që ti ofrohet sa më parë rrugë e qartë Kosovës drejt liberalizimit të vizave dhe dhënien e lejeve të përkohshme për punë, në mënyrë që të ndalet emigrimi i parregullt i qytetarëve.
Në një emision të televizionit austriak ORF 1 në Vjenë, Hoxhaj ka debatuar për refugjatët nga Siria dhe migrimin ilegal nga Ballkani në vendet perëndimore.
Hoxhaj ka thënë se arsyet kryesore të largimit të qytetarëve të Kosovës drejt BE-së kanë të bëjnë me izolimin e vendit dhe me zhvillimin e ngadaltë ekonomik, por natyrisht edhe nga faktor të tjerë.
Kosovës duhet ti ofrohet sa më parë rrugë e qartë drejt liberalizimit të vizave, në mënyrë që të ndalet emigrimi i parregullt i kosovarëve, ka thënë Hoxhaj.
Në debatin me gazetarët Franziska Augstein të Süddeutsche Zeitung, Adelheid Wölfl, Der Standard dhe profesorin Florian Bieber, Hoxhaj ka thënë se BE-ja dhe shtetet anëtare të saj duhet që të mendojnë edhe për format legale të migrimit ku qytetarët nga Kosova do të pajiseshin me viza pune për punësime sezonale në vendet perëndimore.