15 Janar 2025

Kosovë-Serbi, bisedimet vijojnë në nëntor

Prishtë, 21 tetor - Bisedimet Kosovë–Serbi do të vazhdojnë gjatë muajit nëntor. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, pranoi se aty do të diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve. BE të shtunën publikoi fotografinë nga takimi Thaçi –Daçiç.

Bashkimi Europian ka publikuar të shtunën, me një ditë vonesë, fotografinë nga takimi Thaçi-Daçiç, i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, njofton Express.

Baronesha Ashton ka arritur të bind Thaçin dhe Dacic që të vazhdojnë bisedimet duke njoftuar se një takim i ri mes dy kryeministrave mund të ndodhë së shpejti. Madje Dacic ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë gjatë nëntorit.

Por, Brukseli nuk ka saktësuar se cilat do të jenë temat që Prishtina dhe Beogradi do t’i diskutojnë gjatë bisedimeve.

Të shtunën Dacic ka thënë se Serbia do të dalë me platformën e saj të bisedimeve javën e ardhshme.

Ai ka bërë të ditur se kjo çështje do të diskutohet në një takim të organizuar nga shefi i shtetit serb Tomislav Nikoliç.

\"Tani po bëhet përgatitja e platformës. Ne shpesh kemi biseduar për elementet e qasjes tonë për vazhdimin e dialogut dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për atë se si e shohim zgjidhjen përfundimtare për Kosovën, por edhe për çështje tjera që duhen zgjidhur që ndërlidhen me konkluzionet e vitit të kaluar të Këshillit Europian, gjegjësisht për nevojën e normalizimit të raporteve me Prishtinën\", ka thënë ai.

Dacic ka folur edhe për Thacin duke e quajtur atë negociator më me përvojë se ai pasi Kryeministri i Kosovës ka qenë pjesë e negociatave edhe më herët.

Dy ditët të fundit është përfolur shumë rreth takimit Dacic –Thaçi dhe rreth asaj që është diskutuar mes tyre.

Takimi është përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia. Po ashtu në mbështetje të Thaçit ka dalë edhe Presidentja e Kosovës, por ashpër kundër takimit ka dalë Vetëvendosje.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se takimi i Thaçit me homologun e tij serb ka qenë një takim i pritur dhe se nga vazhdimi i tij nuk ka kurrfarë rreziku për Kosovën, pasi që ai mbështet fuqishëm nga BE-ja dhe SHBA-të.

Rreth këtij zhvillimi është prononcuar edhe Lideri I LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se në bisedime nuk duhet folur për çështje tema që prekin integritetin, sovranitetin dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë ku në vija të trasha flitet për pozicionin e palës kosovare në bisedime.

Por, autoritetet nuk kanë paralajmëruar ndonjë platformë specifike rreth këtij procesi.

Pikërisht kjo çështje është adresuar nga Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë bisedimeve të Vjenës ku është negociuar për statusin final të Kosovës.

\"Në bazë të çfarë platforme është duke u zhvilluar procesi negociator dhe pse nuk është përgatitur një konsensus politik, i cili siç e dimë duhet të tejkalonte një jo, sepse përgjatë dy viteve të kaluara apo edhe më shumë qytetarëve të Kosovës u është shpjeguar se nuk do të ketë negociata politike, por në fakt këto negociata politike edhe janë zhvilluar dhe po zhvillohen që tash\", ka deklaruar Surroi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)