Kosovarët mund të udhëtojnë në Bullgari me viza Schengen
Prishtinë, 26 janar - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, njofton qytetarët e Kosovës të cilët posedojnë viza Schengen, se do të kenë mundësi të udhëtojnë dhe qëndrojnë në Bullgari, pa pasur nevojë që të pajisen me viza bullgare.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje, ka përcjell njoftimin se Qeveria e Republikës së Bullgarisë, ka marrë vendim për lehtësimin e hyrjes në Bullgari për poseduesit e vizave Schengen.
Këshilli i Ministrave të Republikës së Bullgarisë ka vendosur që deri në datën kur Bullgaria të bëhet anëtare e zonës Schengen, të aplikoj njëanshëm sistem të lirë vizash për poseduesit e vizave valide të Schengenit.
Ky vendim iu mundëson poseduesve të vizave Schengen, që të hyjnë dhe të qëndrojnë në Bullgari në një periudhë deri në tre muaj nga data e hyrjes së parë, pa pasur nevojë për pajisjeje me vizë bullgare. Në praktikë ky vendim do të prek shtetasit e të gjitha vendeve për të cilat deri tani është kërkuar vizë bullgare, për të hyrë në Bullgari.