Kosova vendos marrëdhëniet diplomatike me Ganën
Prishtinë, 4 tetor - Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Ganës.
Marrëveshja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve është nënshkruar në Uashington nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, Akan Ismaili dhe Ambasadori i Republikës së Ganës në SHBA, Daniel Ohene Agyekum.
Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike është zhvilluar në zyrat e Ambasadës së Ganës në Uashington DC.
Në dokument shprehet vullneti i Qeverisës së Kosovës dhe Qeverisë së Ganës për të promovuar lidhjet e miqësisë ndërmjet dy shteteve, zgjerimit të horizonteve të bashkëpunimit dhe mbështetja e kauzës së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Më tutje, në të riafirmohet përkushtimi i dy qeverive për parimet Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë respektin e përbashkët për sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të një shteti tjetër.
Republika e Ganës e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës më 23 Janar 2012, ndërkohë që disa personalitete të larta nga ky shtet kanë vizituar Kosovën.