Kosova vendos marrëdhëniet diplomatike me Dominikën
Prishtinë, 12 dhjetor Një ditë pas njohjes formale të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga Komonuelthi i Dominikës, dy shtetet kanë vendosur zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike ndërmjet tyre.
Akti i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në Nju Jork ndërmjet ambasadorit Bekim Sejdiu, konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju Jork dhe përfaqësuesi i Përhershëm i Komonuelthit të Dominikës në Kombet e Bashkuara, ambasadori Vince Henderson.
Në marrëveshjen e nënshkruar nga dy ambasadorët, shprehet vullneti i dy shteteve për të zhvilluar marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit në politikë, ekonomi, tregti, kulturë dhe në fusha të tjera.
Dy palët janë dakorduar që të zhvillojnë marrëdhëniet e tyre në përputhje me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, normat e të drejtës ndërkombëtare dhe në përputhje me konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore.
Dy palët janë të bindur se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komonueltit të Dominikës është në interes të dy shteteve dhe në frymën e marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve tona si dhe do ta forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga dy ambasadorët.
Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar notën verbale të njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës nga Dominika.
Ministri Hoxhaj, gjatë lobimit të fuqishëm për njohje nga shtetet e Karaibeve, dy herë gjatë vitit 2012 ka vizituar Dominikan dhe ka pasur kontakte të shpeshta dhe takime direkte me liderët e këtij shteti.
Hoxhaj ka takuar kryeministrin, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme si dhe i Financave i Dominikas, Roosevelt Skerrit dhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtij shteti.