Kosova thellon bashkëpunimin me shtetet e rajonit
Shkup, 18 qershor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) në Shkup, ka zhvilluar takime të ndara me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki, ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Lukshiç dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edith Harxhi.
Gjatë takimit me homologun maqedonas, ministri Hoxhaj vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë bilateral me Maqedoninë.
Në këtë kontekst, dy ministrat kanë biseduar për thellimin e këtij bashkëpunimi, sidomos në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
Hoxhaj theksoi se me ministrin Poposki kanë biseduar është për përshpejtimin e hapjes së pikës kufitare Stanqiq-Bellanofc.
Kjo do të lehtësoj qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve në të dy anët e shteteve, të shkëmbimit të mallrave etj., tha Hoxhaj, duke bërë të ditur se gjatë takimit është biseduar edhe për projekte të karakterit rajonal.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në nisma dhe organizata rajonale.
Gjatë takimit, dy ministrat kanë diskutuar edhe për intensifikimin e shkëmbimit të përvojave në fushën e diplomacisë.
Ndërkaq, gjatë një takimi ndërmjet ministrit Hoxhaj dhe homologut malazez, Igor Lukshiç, është biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Hoxhaj theksoi se Kosova dhe Mali i Zi do të thellojnë bashkëpunim në fushën e transportit e tregtisë.
Gjatë takimit është përmendur edhe përfundimi i procesit të shënimit të vijës kufitare ndërmjet dy shteteve, proces që pritet të përfundojë brenda vitit, si dhe çështja e shkëmbimit të diplomatëve ndërmjet dy shteteve, që pritet të thellojë bashkëpunimin si dhe shkëmbimin e përvojave në proceset e integrimeve evropiane.
Ministri Lukshiç tha se Mali i Zi do të mbështesë Republikën e Kosovës në anëtarësimin në nisma dhe organizata rajonale.
Ai tha po ashtu se e mirëpret anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut A5 dhe mekanizmat e tjerë rajonal.
Gjatë qëndrimit në Shkup, ministri Hoxhaj zhvilloi një takim edhe me zëvendësministren e Jashtme të Shqipërisë, Edith Harxhi.
Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Harxhi biseduan për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shumë fusha.
Hoxhaj vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në nismat rajonale.
Zëvendësministrja Harxhi shprehu përkrahjen e mëtutjeshme të Shqipërisë për Kosovën, veçanërisht në anëtarësimin dhe pjesëmarrjen në nismat rajonale e ndërkombëtare, siç është edhe Karta e Adriatikut A5 dhe mekanizmat e tjerë rajonal.