Kosova synon mundësit e bashkëpunimit ekonomik me investitorë të huaj
Në edicionin e sivjetmë, që do të trajtojë temën “Siguria bashkëpunuese në kohët e Pandemisë” kryeministri Kurti fillimisht uroi Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë Diplomatike, Sabri Kiçmari dhe Drejtorin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, Rene Schlee, për organizimin e këtij edicioni dhe falënderoi diplomatët që kanë udhëtuar distanca të gjata për të qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje.
''Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, janë parimet e politikës sonë të jashtme'', u shpreh kryeministri Kurti.
Me besimin se nëpërmjet kontakteve formale dhe joformale në mes diplomatëve tonë do të mund të arrihet një bashkëpunim më i avancuar dhe mirëkuptim në mes vendeve dhe qeverive tona, kryeministri Kurti i uroi edhe një herë mirëseardhje të pranishmëve në Kosovë dhe punë të mbarë gjatë qëndrimit të tyre në vend.
Ky edicion i bashkë organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe FES, ka mbledhur diplomatë nga 16 shtete të botës të cilëve ministrja Gërvalla u ka shprehur mirëseardhje, gjatë ceremonisë së hapjes së punimeve pesëditore të kësaj shkolle.
Me këtë rast ajo ka vlerësuar se në një botë ku ndryshimi dinamik është një prej dukurive kryesore, është thelbësore që të mblidhen përfaqësues të fushave të ndryshme nga vende të ndryshme, për shkëmbim përvojash dhe dialog mbi botën në të cilën po jetojmë, sfidat aktuale dhe të ardhshme. Në veçanti ka theksuar se është tepër i vlefshëm shkëmbimi në rrafshin diplomatik.
Gërvalla tutje u ka shpjeguar diplomatëve të huaj traditat dhe veçantitë e vendit.
“Kosova është një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne nuk jemi vetëm vendi më i ri në Evropë. Ne gjithashtu kemi popullsinë më të re sipas moshës. Asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s."
"Në sondazhet e fundit ne regjistruam mbështetje për këto dy struktura kryesore ndërkombëtare me më shumë se 90% të qytetarëve. Kjo është unike, dhe kjo përfaqëson vullnetin e njerëzve tanë dhe strategjinë e qeverisë sonë”, ka thënë ajo.
Gjithashtu ajo ka folur për aspiratat dhe angazhimin e Kosovës për integrim në strukturat Euro-Atlantike.
Ministrja Gërvalla, ka theksuar para pjesëmarrësve se Republika e Kosovës në të njëjtën kohë po punon me shumë partnerë të tjerë në të gjithë globin për të zhvilluar dhe thelluar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë. Me më shumë se njëqind vende ka thënë se ekzistojnë marrëdhënie zyrtare.
Po ashtu ajo ka bërë të ditur angazhimin qeveritar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Duke zbatuar një sërë reformash, mbi të gjitha me fokusin e saj të qartë në vendosjen e sundimit të ligjit, Qeveria e re po demonstron ndryshimin, i cili ka ardhur në Kosovë dhe që do të kontribuojë në rrugën tonë evropiane”, ka nënvizuar ajo.
Po ashtu politika e jashtme e Kosovës sipas saj synon identifikimin gjithnjë e më të fortë të Kosovës me kulturën e saj, si dhe promovimin e mundësive të bashkëpunimit ekonomik të Republikës së Kosovës me investitorë të huaj.
Ndër të tjera ka përmendur bukuritë natyrore, pikat turistike, jetën shumë të gjallë dhe elemente të tjera që karakterizojnë vendin.