27 Dhjetor 2024

Kosova sot po feston dyvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 17 shkurt - Kosova sot shënon Ditën e Pavarësisë pasi qe dy vite më parë, deputetë të Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme miratuan e Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe simbolet shtetërore.

 

Deklarata e pavarësisë, e cila përmban  12 pika, u miratua në ora 15:46, me të cilën Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Pavarësia e Kosovës u njoh brenda 24 orëve nga shtet më të fuqishme të botës, ndërsa deri më tani është njohur nga 65 vende.

 

Krerët e institucioneve thanë se gjatë dy viteve të funksionimit të shtetit është arrtur të dëshmohet se Kosova e pavarur është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se në vitin e tretë të shtetësisë synim kryesor do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se në dy vjetorin e shtetit, Republika e Kosovës është vend i konsoliduar me të cilin secili qytetar duhet të ndihet krenar. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se vlera e pavarësisë tashmë matet në radhë të parë me përmirësimin praktik të jetës së qytetarëve.


Krerët e institucioneve të vendit thanë se shpallja e pavarësisë është rezultati i punës se dhe sakrificës së madhe të qytetarëve ndihmës së faktorit ndërkombëtar. Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës presidenti, Fatmir Sejdiu tha se gjatë dy viteve të funksionimit tonë kemi arritur të dëshmojmë se pavarësia e Kosovës i ka sjellur me shumë paqe dhe stabilitet rajonit. Por sipas presidentit Sejdiu në vitin e tretë të shtetësisë nevojitet angazhimi gjithëpërfshirës për integrimin sa më të shpejtë të vendit në strukturat euroatlantike.

“Ne jemi shteti më i ri në Europë dhe në botë. Kjo nuk është një përparësi, përkundrazi një pengesë në udhën e vështirë dhe plot përgjegjësi për të ardhmen tonë. Ne na duhet të punojmë dyfish më shumë për të arritur shkallën e zhvillimit të vendeve tjera. Ne na duhet të tregohemi dyfish më të kujdesshëm në procesin e përmbushjes së standardeve të kërkuara për integrime euroatlantike. Së këndejmi të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se bota na shikon me llupë dhe se asnjë veprim i yni nuk mbetet i pa analizuar”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se për të mbërritur deri në këtë ditë të festës së pavarësisë, është punuar dhe sakrifikuar nga gjenerata të tëra.

“Vizionin tonë të përbashkët dhe universal për liri pavarësi dhe rend demokratik në atdheun tonë e realizuam bashkarisht me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetar. Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës, dhe secili duhet të ndihet krenar kudo që jeton”, kryeministri tha Thaçi.

Në dyvjetorin e shënimit të pavarësisë, sipas kryeministrit Thaçi, shteti i Kosovës është më i konsoluiduar, me një qeverisje të mirë dhe sundim të rendit dhe ligjit. Ndërkaq sfidat e së ardhmesh Thaçi tha se janë zhvillimi dhe integrimi në strukturat euroatlantike.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ndërkaq tha se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, dhe se tash sipas Krasniqit nevojitet zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sundimit të ligjit.


“Ne qytetarët e Kosovës tash kemi një armik të përbashkët të quajtur varfëri dhe interesin e lartë për jetë më të mirë, siguritë e të dinjitetshme. Vlera e pavarësisë së Kosovës matet në radhë të parë me përmirësimin praktik të jetës së qytetarëve por ne duhet ta ndërtojmë bashkë e me duar tonë të ardhmen tonë “, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Krerët e institucioneve të vendit përmendën edhe kontributin e gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës, pastaj familjet Jashari dhe Rugova si dhe të gjithë ata që kontribuuan për pavarësinë e vendit. Sejdiu, Thaçi e Krasniqi folën edhe për sukseset që janë shënuar gjatë këtyre dy viteve të funksionimit të shtetit. Anëtarësimi i Kosovës në Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore, mbajtja e zgjedhjeve të lira si dhe ngritja e institucioneve kushtetuese ishin disa prej të arriturave që ata i theksuan.


17 Shkurti dy vjet më parë gurthemel, ndërsa tani nisi të muroset në një traditë jo vetëm për shqiptarët me prejardhje nga kufijtë shtetëror të Kosovës, por edhe nga shqiptarë të të gjitha viseve në Ballkan të cilët e ndjejnë me po aq emocione ditën që shënoi arritjen më sublime për të gjithë idealistët që kishin ëndërruar dhe punuar për një çlirim dhe subjektivitet të Kosovës.

Që prej dy vjetësh, shqiptarët në Amerikë, apo shqiptaro-amerikanët siç quhen me një emërtim më integrues në vendin që e përqafuan, kanë edhe një datë të rëndësishme në prejardhjen e tyre kombëtare për ta shënuar, 17 Shkurtin, Datën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës që disa do ta barazojnë me rëndësinë e 28 Nëntorit, datës së pavarësisë së Shqipërisë

Bashkia e qytetit të New Yorkut e ka shënuar edhe sivjet Datën e pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë edhe ambasadori Avni Spahiu si dhe deputeti më i vjetër i Parlamentit të Republikës së Kosovës, profesor Mark Krasniqi.

Shoqatat shqiptaro-amerikane, si ajo pan-shqiptare VATRA në New York, kanë organizuar kremtime që i janë bashkuar edhe komunitetet dhe organizimet në shumë qytete të tjera të SHBA si në Chicago, Detroit, në Dallas, e në shumë të tjerë që tashmë e kanë vendosur në kalendarin e festimeve kombëtare këtë datë historike.

Edhe Ambasada e Kosovës në Washington do të organizojë të premten një kremtim të dyvjetorit të pavarësisë me ç’rast pritet pjesëmarrja e zyrtarëve amerikanë, përfaqësuesve të korit diplomatik në kryeqytet si dhe e shumë shqiptaro-amerikanëve nga shtete të ndryshme në SHBA.

Ndërkaq, kur është fjala tek politika zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një mendim që qëndron tek zyrat e vendosjes në Washington se Kosova gjatë këtyre dy viteve ka ecur me shpejtësi përpara për ndërtimin e institucioneve demokratike, ndërsa pavarësia e saj i ka dhënë një nxitje shtesë qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajon.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)