Kosova sot nis dialogun për liberalizimin e vizave me BE-në
Prishtinë, 19 janar - Kosova sot edhe zyrtarisht nis dialogun për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE) pasi që komisionerja evropiane për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmstrom pritet ta vizitojë Kosovën.
Komisionerja për Punë të Brendshme e Bashkimit Evropian, Cecilia Malmstrom do të qëndrojë në Prishtinë sot dhe nesër.
Qëllimi i vizitës së saj është shënimi i nisjes së dialogut me Kosovën për liberalizimin e vizave.
Komisionerja Malmstrom do të takohet Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe me anëtarët e kabinetit të tij.
Gjatë vizitës në Kosovë, ajo ka planifikuar të takohet edhe me shefin e EULEX-it, Xavier de Marnhak.
Të premten, para largimit të saj nga Kosova, Malmstrom do ta realizojë një vizitë në shkollën ''''Selman Riza'''' në Fushë Kosovë, thuhet në komunikatën e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dje ka bërë të ditur se nga sot edhe zyrtarisht fillon dialogu për liberalizimin e vizave për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
Nesër edhe fillon zyrtarisht dialogu për liberalizimin e vizave për shtetin e Kosovës, për qytetarët e saj. Pas një pune kolosale që kanë bërë institucionet qendrore, Qeveria e Kosovës, komunat, komisionet parlamentare, me përkrahjen gjithëpërfshirëse të tërë spektrit politik kosovar, ne po i hyjmë një procesi, i cili në fund do të rezultojë me qarkullimin e lirë dhe pa viza të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Evropë. Pra, nga nesër fillon një kapitull i ri historik i evropianizimit të Kosovës, theksoi Thaçi.
Më tutje kryeministri Thaçi pohoi se një e treta e qytetarëve të Republikës së Kosovës tashmë jetojnë në Evropë dhe jam i vetëdijshëm për dimensionin emocional dhe human që bart ky proces në Republikën e Kosovës.
Unë dhe Qeveria që përfaqësoj do të punojmë natë e ditë me përkushtimin e plotë që, nënat, baballarët dhe familjarët të munden që sa më shpejt dhe pa viza të udhëtojnë në Evropë për ti vizituar të afërmit e tyre, studentët për të marrë përvoja të reja, bizneset për të gjetur partnerë të rinj në Bashkimin Evropian.