Kosova shënon tetë vjetorin e miratimit të Kushtetutës
Prishtinë, 9 prill - Republika e Kosoves sot shënon tetë vjetorin e miratimit të Kushtetutës.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani Ahtisarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.
9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot do ta kenë ditë pushimi.
Me rastin e 8 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës mbahet seminarin me temën Kushtetuta e Republikës së Kosovës 8 vite pas: vlerat, sfidat dhe perspektiva që organizohet nga Fakulteti Juridik në koordinim me Katedrën Kushtetuese-Administrative të këtij Fakulteti.
Në këtë seminar do të trajtohen sfidat në zbatimin e Kushtetutës së Kosovës në tetë vite të ekzistimit të saj dhe roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në sigurimin e kushtetutshmërisë në demokracinë kushtetuese.