19 Maj 2024

Kosova shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Prishtinë, 8 mars - Sot, Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi, USAID Basic Education Program (Programi për Arsimin Themelor i USAID-it) mbështeti katër ngjarje në nivel rajonal të quajtura: “Vajzat dhe teknologjia: Shfrytëzoje mundësinë”.

Ngjarjet u mbajtën në Qendrat për Ngritje Profesionale: në Gjakovë shkolla “Zekeria Rexha”, në Mitrovicë shkolla “Eqrem Çabej”, në Prishtinë “Shkolla e Gjelbër”, dhe në Suharekë shkolla “Shkëndija”.

Komunat tjera nga të cilat u ftuan vajzat janë Ferizaj, Drenas, Pejë, Deçan, Prizren, Rahovec, Skenderaj dhe Vushtrri.

Vajzat të cilat morën pjesë në ngjarjen e 8 marsit patën mundësinë të aplikojnë forma të ndryshme të teknologjisë arsimore dhe të jenë pjesë e sfidës së dizajnit, si dhe të bëjnë një hulumtim për gratë të cilat momentalisht po kontribuojnë në fushën e teknologjisë.

Afërsisht 20-24 vajza të klasave 7-9 morën pjesë në secilën ngjarje rajonale, ndërsa numri total i tyre ishte 130 pjesëmarrëse. Programi po ashtu inkurajojë përfshirjen e grave udhëheqëse duke përfshirë edhe ato nga bizneset, e në veçanti ato të cilat merren me teknologji.

Stafi i gjinisë femërore nga Programi do të vizitojnë dhe mbështesin ngjarjen e 8 Marsit. Pos kësaj, Basic Education Program i USAID-it punojë me divizionin për çështje gjinore në MASHT për të inkurajuar të gjitha shkollat që të njohin Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Dita Ndërkombëtare e Grave nderon arritjen e grave në fushën ekonomike, politike dhe shoqërore në mbarë botën dhe shërben si mundësi për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me të drejtat, fuqizimin e grave dhe promovimin e barazisë gjinore.

Kjo ditë u festua për të parën herë në vitin 1911, kur një milion gra dhe burra morën pjesë në mitingje në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër për të kërkuar të drejtën e votës për gratë, mundësinë e tyre për poste publike, punë, dhe paga të barabarta.

Edhe pse ka pasur përparim mbresëlënës në ndryshimin e jetës së tyre që atëherë, ka ende punë për të bërë, veçanërisht për gratë dhe vajzat në vendet në zhvillim. Gjendja e tanishme e barazisë gjinore është ilustruar me temën ndërkombëtare për 2013: Agjenda Gjinore: Shfrytëzoje Mundësinë.

Të drejtat e barabarta dhe qasja në arsim janë me rëndësi të madhe për arritjen e barazisë gjinore në Kosovë.

Ato janë njohur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe në ligjin për barazinë gjinore.

Në këtë të fundit thuhet: "Në të gjitha nivelet e arsimit dhe edukimit duhet të mundësohet arsimimi dhe edukimi i barabartë i femrave dhe meshkujve për pjesëmarrje e tyre aktive në shoqëri, në jetën familjare dhe në tregun e punës."

Ligji mbi Barazinë Gjinore kërkon që barazia gjinore të garantohet në qasjen ndaj mundësive për arsimim dhe trajnim (përfshirë mundësitë për aktivitete sportive dhe rekreacion gjatë orëve të arsimimit).

Ligji bën thirrje që t’i kushtohet vëmendje e veçantë "përfshirjes së femrave dhe meshkujve në trajnim profesional dhe këshillim për ato profesione që tradicionalisht janë konsideruar vetëm për meshkuj ose femra".

Duke pasur parasysh aftësitë që kërkohen për vendin e punës në shekullit 21, ku lypset një shkallë e lartë e shkathtësive në TI dhe teknologji të tjera dhe duke pasur parasysh se ka një perceptim të përgjithshëm se vajzat nuk janë aq të interesuara sa djemtë në kompjuter dhe teknologji, Basic Education Program i USAID-it është përqendruar në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, duke mbështetur vajzat dhe ngjarjet e teknologjisë në katër komuna.

Basic Education Program i USAID-it në Kosovë synon të përkrahë të gjitha shkollat fillore të ulëta dhe fillore të mesme në Kosovë (klasat 1-9). Motoja e programit është Zhvillimi i shkathtësive të shekullit 21 tek nxënësit në patneritet me shkollën dhe komunitetin.

Basic Education Program është partneritet pesëvjeçar i financuar nga USAID dhe Qeveria e Kosovës dhe i implementuar nga FHI 360 në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Qendrën për Arsim të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)