Kosova së shpejti me Ambasadë në Podgoricë
Prishtinë, 27 shkurt - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në Prishtinë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Igor Lukić, me të cilin kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet dy vendeve, në atë që Hoxhaj e ka quajtur lëvizje nga fqinjësia e mirë në fqinjësi konstruktive.
Në takimin bilateral, Hoxhaj dhe Lukić kanë biseduar për një numër të çështjeve që karakterizojnë marrëdhëniet Kosovë - Mal i Zi, ku të dy shefat e diplomacive kanë nënvizuar faktin se nuk ka çështje të hapura ndërmjet dy vendeve dhe shumë mundësi për bashkëpunim.
Pas takimit, Hoxhaj ka deklaruar se marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi nuk janë një parakusht i jashtëm i BE-së, por nevojë dhe vullnet i brendshëm, duke paralajmëruar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, përmbylljen e demarkimit të kufirit dhe intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare e turistike.
Qysh nesër do ta shtrojmë kërkesën për hapje të Ambasadës së Kosovës në Mal të Zi pasi tani ekziston vullneti ynë dhe pajtueshmëria nga pala malazeze. Ky hap pason nivelin e shkëlqyeshëm të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, por njëkohësisht hap mundësinë për një kaptinë të re marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në fushën ekonomike, tregtare, turizmit dhe kulturës, ka thënë Hoxhaj, duke shprehur njëherësh edhe zotimin e institucioneve kosovare për ta integruar plotësisht komunitetin malazez në jetën politike dhe publike.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Lukić, theksoi nivelin e mirë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së tij për të intensifikuar edhe më tej atë në shumë fusha.
Hoxhaj dhe Lukić janë pajtuar njëzëri që të dyja vendet, Kosova dhe Mali i Zi ta ndihmojnë njëra tjetrën në nismat dhe organizmat rajonalë dhe procesin e anëtarësimit në BE.
Në fund, të dy ministrat kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi.