Kosova po përballet, me dy lloj uzurpimesh të territorit, tokës, e pronës
Prishtinë, 9 qershor - Kryetari i VV-së, Visar Ymeri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se tash e sa kohë përballemi me dy lloj uzurpimesh të territorit, tokës, e pronës në Kosovë.
Sipas tij në njërën anë ky regjim koncesionarësh i krijon Zajednicë Serbisë, i fal toka Malit të Zi, ndërsa në anën tjetër pjesën e mbetur e ndajnë mes vete.
\"Kjo është e vërteta e këtij vendi i cili do të duhej të ishte Republikë e qytetarëve, por u shndërrua në plaçkë të pushtetarëve. Tash, 17 vite pas, filluan aksionet e policisë. Kemi parë një sërë arrestimesh, bastisjesh e çlirimesh të pronave të uzurpuara. Këto prona të uzurpuara të stërshitura janë hajni e kulluar e pasurisë së popullit të Kosovës.
Opinioni publik u përqendrua te dy emra të përveçëm: Azem Syla në njërën anë, e Bedri Selmani në anën tjetër. Kështu po mëtohet të krijohet përshtypja se lufta kundër krimit e korrupsionit ka marrë hov. Çlirimi i pronave të uzurpuara e arrestimi i uzurpatorëve është i domosdoshëm:, ka thënë ai.
Sipas tij por mos të mendojmë se ky është luftim i krimit. Kjo fushatë më shumë I ngjanë shpërlarjes së kryekriminelit.
\"Krimi e korrupsioni luftohet nga koka e jo nga bishti. E kokën e tij e kemi në krye të Kuvendit. Kadri Veseli po sillet sikur ky e inicioi këtë luftë kundër krimit e korrupsionit. Sikur ky e nxiti çlirimin e pronave të uzurpuara.
Pra po do të paraqitet sikur ky po e shpëton Kosovën. Çfarë ironie. Koka e ShIK-ut që e ka zaptuar, uzurpuar e kapur Republikën e Kosovës, tash po paraqitet sikur shpëtimtari i saj. Nuk ka rrezik më të madh për një vend se sa instalimi i kreut të nëntokës në krye të shtetit\", ka thënë ai.
Sipas tij dhe kur po ky ka bashkëpunëtorë gjithandej në institucione. Sikur në Qeveri. Tash e 1 vit e gjysmë të kësaj qeverie krejt çfarë kemi parë është intensifikimi i kapjes së shtetit nga Isa Mustafa me shokë. Bashkëpunimin në uzurpim që kishte ndodhur në terren tash e kanë instaluar edhe në qeveri. A është e çuditshme? Aspak.
\"E vërteta e plotë e Kosovës së pasluftës është e vërteta rreth 3% dhe Vendlindjes thërret. Vjedhja e këtyre fondeve nga Isa me shokë e Kadriu po ashtu me shokë e kanë pamundësuar edhe demokracinë, edhe zhvillimin, edhe tregun në Kosovë.
Kjo klikë kriminelësh duhet luftuar e duhet ndalur. Këtë do a bëjmë këtu në Kuvend, jashtë tij me qytetarët, çdo kund dhe në çdo kohë. Kriminelët nuk do të fitojnë\", ka thënë ai.