Kosova përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Malin e Zi
Prishtinë, 7 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ambasadorin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha.
Gjatë takimit, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ambasadori Dinosha e ka informuar kryeministrin Mustafa për ekspozenë në Kuvendin e Malit të Zi nga kryeministri i porsazgjedhur malazez, Dushko Markoviq, si dhe për prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Malit të Zi.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimin e përbashkët për zgjerimin e miqësisë.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se Kosova është e interesuar për thellimin e marrëdhënieve me Malin e Zi, me theks të posaçëm në rrugën integruese evropiane.
Edhe ambasadori Ferhat Dinosha, shprehu vullnetin e plotë të Malit të Zi dhe të Qeverisë së re për thellimin e relacioneve, shkëmbimeve si dhe bashkëpunimit bilateral me Kosovën.