Kosova përkujton 30 vjetorin e vizitës së delegacionit të Senatit Amerikan
Prishtinë, 30 gusht - Me rastin e 30 vjetorit të vizitës së një delegacioni të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga Senatori Bob Dole, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të zbulojnë bustin e Senatorit Dole.
Ceremonia e zbulimit të bustit do të mbahet sot në rrugën Bob Dole në lagjen Dardania në Prishtinë, ndërsa të pranishmëve dhe medieve do t'u drejtohen Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Ambasadori i SHBA në Kosovë Philip Kosnett dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka.
Po ashtu, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla do të bëjë zbulimin e pllakës përkujtimore për nder të këtij përvjetori në sheshin Nënë Tereza para Grand Hotel Prishtina.
Ndërsa, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të hapë ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit amerikan më 29 gusht të vitit 1990.
Hapja e ekspozitës do të bëhet para Grand Hotel Prishtina.