Kosova nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit në BE
Prishtinë, 14 tetor - Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, iu dorëzua sot Raporti i Progresit nga Khaldoun Sinno, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.
Me këtë rast, Khaldoun Sinno, njëherësh i përcolli kryekuvendarit Krasniqi edhe përshëndetjet e Pjer Mirel,drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian.
Khaldoun Sinno, mbështetur në faktin se Kosova ka agjendën e vet të zhvillimit dhe të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shprehu gatishmërinë e Komisionit Evropian që të ndihmojë në realizimin e këtyre synimeve.
Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u falënderua për dorëzimin e Raportit dhe për përshëndetjet e Mirel, ndërsa në vijim tha se Kosovës duhet t i krijohen lehtësi në rrugën drejt integrimit evropian.
Për Kosovën, tha Krasniqi, nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit në BE.
Duke u ndërlidhur me këtë çështje, Sinno tha se procesi i integrimit është i vështirë, por i arritshëm.