Kosova, një tregim i rrallë suksesi
Prishtinë, 22 nëntor - Ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për marrëdhënie me publikun, James Rubin pas takimit që kishte me përfaqësues, donatorë dhe miq të KAEF-it si dhe përfaqësues të bizneseve të suksesshme kosovare, ka deklaruar se Kosova është një tregim i rrallë i suksesshëm i bashkësisë ndërkombëtare.
Kjo nuk ka ndodhur askund në botë, në asnjë vend ku bota ka intervenuar. As në Irak, as në Afganistan e as në Siri edhe pse atje nuk është intervenuar, ku kanë vdekur dhe po vdesin me qindra dhe mijëra njerëz. Kosova është një tregim i suksesshëm ndër të rrallët, por që askush nuk mund ta mohoj se është një tregim i suksesshëm, ka thënë Rubin për RTV Dukagjinin.
Ish-ndihmës sekretari i SHBA-ve ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke e quajtur mrekulli atë që është duke ndodhur kur dy armiq tash shtrëngojnë duart në një tryezë dhe janë të përkushtuar që qytetarëve të tyre tu sigurojnë një të ardhme më të mirë.
Ndërkohë duke folur për sfidat e brendshme të Kosovës, Rubin ka theksuar se Kosova duhet të fokusohet në reformën zgjedhore.
Reforma elektorale duhet të kompletohet. Kosova duhet të përcaktohet se çfarë sistemi demokratik dëshiron të implementoj në të ardhmen, kjo vërtetë është shumë e komplikuar. Reforma elektorale është e një rëndësie të veçantë. Mund të jetë një çështje ligjore e mërzitshme, por është jashtëzakonisht e rëndësishme, është shprehur ish ndihmës sekretari, James Rubin.
Bashkëkryesuesi i bordit të KAEF-it, Neshad Asllani i cili ka qenë nikoqir i takimit të sotëm, ka thënë se ish ndihmës sekretari amerikan i shtetit për marrëdhënie me publikun, James Rubin sot ka pasur mundësi të takohet edhe me njerëz jashtë politikës.
Ishte një mundësi për zotëri Rubin që të takohet edhe me njerëz të ndryshëm dhe të merr mendime nga të rinjtë kosovarë. Ky ishte një rast i veçantë sepse zotëri Rubin ka një histori të mirë me Kosovën, ka thënë Asllani.