Kosova nis hetim për Kumanovën
Prishtinë, 16 maj - Numri i madh i kosovarëve të përfshirë në konfliktin e fundjavës së kaluar në Kumanovë ka bërë që Prokuroria Speciale e Kosovës të nisë hetimet lidhur me këtë ngjarje.
Në konsultim me prokurorin special, Ali Rexha, Policia e Kosovës mëngjesin e së premtes e ka filluar një aksion të bastisjes në dhjetëra lokaliteteve në tërë Kosovën, përjashtuar regjionin e Mitrovicës.
Policia ka bastisur në shtëpitë e tetëmbëdhjetë personave që janë arrestuar nga autoritetet maqedonase dhe si të tillë janë duke u mbajtur në një qendër paraburgimi në Shkup, si dhe shtëpitë e disa personave që dyshohet se në një mënyrë apo tjetër, kanë lidhje me personat e implikuar në Kumanovë.
Sipas burimeve të gazetës, aksioni i Policisë së Kosovës është kryer me qëllim të dyshimit se te shtëpitë e personave në fjalë mund të gjendet armatim dhe prova të tjera materiale që dëshmojnë përfshirjen e kosovarëve në konfliktin në Maqedoni.
Zyrtarisht, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit përmes një komunikate të përbashkët, nuk kanë saktësuar se bëhet fjalë për rastin e përfshirjes së kosovarëve në Kumanovë, por kanë konfirmuar bastisjen në 38 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Prizren.
Sipas komunikatës, aksioni i nisur të premten në orët e hershme të mëngjesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda është koduar Kontrolla dhe i njëjti është kryer me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Dyshimet sipas komunikatës, kanë të bëjnë me vepra të rënda penale, por të njëjtit nuk kanë qartësuar se për çfarë veprash penale bëhet fjalë.(Zëri)