Kosova ngel në fushën e njohjeve
Prishtinë, 5 nëntor - Gjatë dhjetë muajve në detyrën e tij, kryediplomati Hashim Thaçi, ka arritur ti sjellë Kosovës njohjen nga vetëm dy shtete: Antigua dhe Barbuda, si dhe Niue (shtet joanëtar i OKB-së).
Njohja e Kosovës si shtet nga vendet e huaja ka mbetur në plan të dytë nga qeveria e vendit, shkruan sot e përditshmja Zëri.
Sipas njohësve të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova po dështon sa i përket procesit të njohjeve, pasi dikasteri i determinuar për politikë të jashtme më shumë po merret me politikat e brendshme.
E po ashtu, fuqia më e madhe e gjithë politikës kosovare është orientuar për në UNESCO, duke lënë anash njohjet e reja, sidomos ato nga pesëshja e BE-së.
Profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se çështja e lobimit dhe politikës së jashtme ka qenë dytësore për institucionet e Kosovës.
Hoti thotë se Kosova ka dështuar në kuptimin e lobimit sepse formula qeverisëse është bërë mbi bazën e interesave për të zhvilluar disa objektiva ose prioritete që ka pasur vendi brendapërbrenda dhe politika e jashtme ka qenë e dorës së dytë.