Kosova në vendin e 98të, sa i përket lirisë së mediave
Prishtinë, 3 maj - Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, Kosova është radhitur në vendin e 98-të sa i përket lirisë së mediave. Kjo sipas raportit të lëshuar nga organizata e Freedom House, që është publikuar të enjten, raport ky që del çdo vit.
Në krahasim me vitin 2013, ku Kosova radhitej në vendin e 102-të, tashmë Kosova zë vendin e 98-të, ky hynë në vendet që janë pjesërisht të lira.Organizata me seli në Shtetet e Bashkuara ka vlerësuar situatën e mediave në 197 vende dhe territore të botës.
Mirëpo sipas Freedom House, liria globale e shtypit ka rënë në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë. Në vendin e parë kryeson Holanda, duke pasur lirinë e plot të shprehjes sa i përket mediave.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, që shënohet për çdo vit në tërë botën më 3 maj, është themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 dhe shërben si rast për të avokuar për lirinë e shtypit dhe të shprehurit shkruan \"Express\".
Liria e shtypit buron nga të drejta themelore, të përcaktuar nga liria e informimit. Siç thuhet në Rezolutën 57 (i), të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1946, liria e informimit është një e drejtë themelore si dhe gurë-themeli i të gjitha të drejtave të cilave u përkushtohen Kombet e Bashkuara.
Ndërsa sa i përket vendeve të rajonit, Serbia mban pozitën numër 74, Mali i Zi 78, Kroacia 83, Bosnja dhe Herzegovina 103 dhe Maqedonia 122.
Liria e informimit nënkupton të drejtën për të mbledhur, transmetuar, dhe botuar lajme kudo qoftë dhe gjithkund pa pengesë. Si e tillë, ajo është faktor i rëndësishëm i çdo përpjekjeje për të promovuar paqe dhe zhvillim të botës.
Secili njeri ka të drejtë për mendim dhe shprehje të lirë; kjo e drejtë përfshinë lirinë për të shprehur mendime pa ndonjë ndërhyrje si dhe lirinë për të kërkuar, pranuar dhe për të dhënë informata dhe ide përmes çfarëdo medie dhe pa marrë parasysh kufijtë.