Kosova në fazën përfundimtare të dialogut për Liberalizimin e Vizave
Delegacionin e Qeverisë së Kosovës në këtë takim e udhëheqi Minsitrja e Integrimit Evropian znj. Vlora Çitaku dhe Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi ndërsa Komisioni Evropian ishte i përfqësuar nga Drejtori i përgjithshëm për punë të brendshme, Matthias Ruete, Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, Drejtori për Ballkan Perëndimor i Drejtoratit të Përgjithshëm për zgjerim, Jean Eric Paquet dhe zyrtar tjerë të Komisionit Evropian.
Ky takim është pjesë e takimeve të rregullta në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian ku diskutohen të gjitha çështjet e ndërlidhura me përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave.
Në takimin e sotëm Komisioni dha vlerësimet e veta të hershme në bazë të misioneve vlerësuese të ndërmarra më herët gjatë vitit, si dhe u dha një mundësi që delegacioni i Kosovës të jepë plotësime me të arriturat e fundit në përmbushjen e të gjitha blloqeve të udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave, përshirë riintegrimin e personave të riatdhesuar, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e rendit dhe ligjit, krimeve ekonomike, bashkëpunimit ligjor, dhe të drejtave themelore.
Pas takimit, Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Vlora Çitaku tha se sot kishim edhe një takim të mirë me Drejtorin e Përgjithshëm, Ruete, dhe zyrtarët tjerë të Komisionit Evropian, dhe u inkurajuam nga vlerësimet e tyre për të arriturat që Kosova ka bërë së fundmi në përmbushjen e obligimeve të procesit të liberalizimit të vizave.
"Është vlerësim i përbashkët se jemi në fazën përfundimtare të këtij dialogu. Është e rëndësishme që të vazhdojmë me performancën e lartë të institucioneve në nivel qendror dhe lokal që e drejta e udhtimit të lirë e qytetarëve të Republikës së Kosovës të jetësohet pa vonesa të mëtutjeshme, tha ajo.