Kosova merr pjesë në takimin rajonal në Sarajevë
Prishtinë, 2 tetor - Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC), ka mbajtur takimin e radhës të shteteve anëtare në Sarajevë, ku Republikën e Kosovës e ka përfaqësuar zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.
RCC-ja është organizata më e madhe rajonale, ku marrin pjesë edhe shumë shtete të tjera përpos atyre të Ballkanit, sikurse SHBA-të, Turqia, Franca, Rumania, Norvegjia, Suedia, etj.
Anëtarësia e Kosovës në RCC u mundësua pas arritjes së marrëveshjes për përfaqësim rajonal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ky është takimi i tretë i Bordit Ekzekutiv ku Kosova merr pjesë në mënyrë të barabartë dhe reciproke me të drejta të plota të votës dhe të vetos.
Në agjendën e takimit që mblodhi mbi 25 diplomatë seniorë nga shtetet e përfshira në RCC, u diskutua agjenda 2020 për bashkëpunim në Evropën Juglindore.
Në pikën e raportimit nga takimi ministror i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që u organizua në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku mori pjesë edhe ministri Enver Hoxhaj, u diskutua edhe për nevojën e përfshirjes së barabartë të Kosovës në këtë mekanizëm.
Zëvendësministri Selimi ritheksoi nevojën që Kosova të bëhet anëtare e barabartë në SEECP, posaçërisht pas dështimit të Samitit të Ohrit që nuk arriti të krijojë mundësi të barabartë të përfshirjes së presidentes Jahjaga dhe ministrit Hoxhaj.
Në takimin e RCC-së u diskutua edhe iniciativa e re e Qeverisë së Malit të Zi për një mekanizëm të ri të bashkëpunimit rajonal të fokusuar në projekte konkrete.
Pjesëmarrësit u pajtuan që proceset në Evropën Juglindore nuk duhet duplifikuar dhe se duhet pasur një koordinim në nivel të RCC-së të të gjitha organizatave rajonale.
Në margjina të takimit të RCC-së u përshëndet edhe emërimi i diplomatit Gazmend Turdiu nga Shqipëria si zëvendësdrejtor i RCC-së dhe u diskutuan tema të tjera të rëndësishme për bashkëpunim rajonal.