Kosova merr përkrahje për procesin e anëtarësimit në UNESCO
Prishtinë, 12 shtator - Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës ka organizuar një konferencë të jashtëzakonshme për media me çrast zëvendësministri i Jashtëm Petrit Selimi shpalosi detaje të reja rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), pas futjes se kërkesës së Kosovës për anëtarësim në agjendë të Bordit Ekzekutiv, të nënshkruar nga një numër rekord i shteteve anëtare.
Ministri i Jashtëm Selimi u shpreh se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO gjatë verës përmes New Yorkut, sipas rekomandimeve nga vet agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara.
Selimi tha OKB në Nju Jork ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj ti prijë procesit në mënyrë të pavarur dhe shtoi se Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova ka përcjellur tutje aplikimin e Kosovën në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s. Ky zhvillim, sipas Selimit, ka hapur dyert që Kosova të futet në agjendën e Bordit Ekzekutiv.
Kosova tani ka siguruar votën e deklaruar haptas nga 19 shtete anëtare të Bordit Ekzekutiv, gjë që përbën një lajm pozitiv marrë parasysh se në Bord vendit do ti duhet shumica e thjeshtë për tu votuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s.
Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtarë të UNESCO-s që përbën një numër rekord të bashkësponsoruesve në historinë e re të UNESCO-s, theksoi Selimi.
Zëvendësministri i Jashtëm rikujtoi se Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim më 3 tetor, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s pritet të votojë në javën e parë të nëntorit me çrast do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin e Kosovës në këtë agjenci të OKB-së.