19 Janar 2025

Kosova me prioritete të qarta të politikës së jashtme në vitin 2014

Prishtinë, 29 dhjetor  - Ka përfunduar punimet Konferenca e II-të e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila është zhvilluar më 27 dhe 28 dhjetor në Prishtinë, me temën “Politika e jashtme dhe multilateralizmi, Forcimi i rolit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Gjatë dy ditëve, janë trajtuar çështjet kryesore sa i përket politikës së Jashtme të Kosovës, temat që lidhen me punën e misioneve diplomatike të Kosovës, prioritetet, objektivat, sfidat si dhe perspektiva e zhvillimit të mëtutjeshëm të shërbimit diplomatik të Kosovës.

Në fund të punimeve të Konferencës janë hartuar edhe Konkluzionet e Përgjithshme të Konferencës së Dytë të Ambasadorëve, dokument ky që do të shërbejë për t’i adresuar sfidat dhe prioritetet e politikës së Jashtme të Kosovës në një periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë.

Dokumenti përbëhet nga tri pjesë kryesore ku fillimisht janë listuar të arriturat e deritanishme, gjendja faktike e misioneve diplomatike të Kosovës dhe pozicioni i vendit tonë në raportet bilaterale dhe multilaterale me rajonin, Evropën dhe botën.

Në pjesën e dytë dokumenti reflekton të arriturat dhe evidenton punët që duhet të ndërmerren në raport me integrimet euro-atlantike, veçmas me procesin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave.

Ndërsa, në pjesën e tretë dhe atë më të rëndësishme, dokumenti përshkruan prioritetet dhe aktivitetet në politikën e Jashtme të Kosovës e përqendruar kryesisht në aspektin multilateral sikurse anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, fuqizimin e imazhit të Kosovës nëpër botë dhe rritjen e ndërveprimit ndërmjet aktorëve qeveritar për ta forcuar edhe më shumë pozicionin e Kosovës jashtë.  

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj në përmbyllje ka falënderuar ambasadorët dhe konsujt për angazhimin e tyre shumë konstruktiv gjatë dy ditëve, si dhe presidenten, kryeministrin dhe ministrat e linjave përkatëse për prezantimet e tyre. Po ashtu, Hoxhaj ka falënderuar edhe kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit, Albin Kurti, për qasjen e tij konstruktive në Konferencë.

“Përgjatë dy ditëve të Konferencës, diskutuam për shumë tema të politikës së jashtme, dhe njëherësh nxorëm përfundimet për punët dhe prioritetet që na presin në vitin 2014 dhe më tej. Dokumenti me Konkluzionet e përgjithshme të Konferencës do të shërbejë si udhërrëfyes i joni për të kanalizuar punët ndërmjet të gjithë aktorëve vendor në avancimin edhe më të madh të politikës së jashtme të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Përgjatë dy ditëve, para diplomatëve kosovarë kanë folur presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, të cilët edhe kanë hapur të premten punimet e Konferencës.

Në pjesën tjetër të Konferencës, në sesione të mbyllura, pjesëmarrësit kanë diskutuar për shumë tema të rëndësishme të politikës së jashtme të Kosovës, forcimin e rolit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare përmes multilateralizmit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)