Kosova më afër zgjedhjeve të parakohshme
Burime brenda Qeverisë i kanë konfirmuar gazetës Zëri në kushte anonimiteti, se tashmë pas zbehjes së fuqisë politike të partnerëve të koalicionit në Kuvendin e Kosovës, vetë kryeministri Hashim Thaçi është pajtuar që sa më shpejt të përmbyllet procesi i reformës zgjedhore dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme në verën e sivjetme ose më së largu në këtë vjeshtë.
Ekziston disponimi edhe nga kryeministri Thaçi, që gjatë këtij viti të shkohet me zgjedhje të parakohshme parlamentare, ka thënë zyrtari.
Ndonëse, vendi udhëhiqet nga koalicioni i pakicës në Kuvendin e Kosovës, dhe pamundësia për ta futur në vallen e bashkëqeverisjes Ramush Haradinajn, duket të ketë ndikuar që kryeministri Thaçi të dorëzohet karshi qëndrimit të tij të mëparshëm se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por sipas tij, ato do të mbahen në afatin e parashikuar, në fund të vitit 2014.