Kosova larg liberalizimit të vizave
Prishtinë, 12 shkurt - Komisioni për Punë të Brendshme i Komisionit Evropian i dorëzoi të sot Qeverisë së Kosovës raportin me vlerësimet për punët e bëra sa i përket përmbushjes së kritereve në procesin e liberalizimit të vizave.
Raportin e dorëzoi drejtori i përgjithshëm i komisionit të punëve të brendshme të Komisionit Evropian, Stefano Manservisi, i cili tha se tha se institucionet e Kosovës kanë edhe shumë punë për të bërë deri në plotësimin e kritereve të kërkuara.
Ne prezantuam atë çka është më e nevojshme dhe e mundur duke përfshirë analizat tona. Ju e keni parë që është një numër i madh rekomandimesh, janë 70 rekomandime. Preferojmë listë specifike të çështjeve që duhet të diskutojmë e që padyshim do të ketë prioritete të rëndësishme. Kjo tregon që ende mbetet shumë për t\'u bërë, tha Stefano Manservisi.
Shqyrtimi i raportit të Komisionit Evropian, me vlerësimet për punën e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, u diskutua me dyer të mbyllura me qeverinë e Kosovës, ndërsa për mediat u bë publik në formë të shkruar.
Në raport thuhet se numri i madh i aplikacioneve të pazgjidhura për riatdhesim nga Belgjika dhe Gjermania dëshmon se ky provizion nuk funksionon në rastet e të gjitha shteteve anëtare. Kosova duhet t\'i përafrojë statistikat për riatdhesim me ato të shteteve anëtare.
Kosova ka krijuar një kornizë ligjore dhe institucionale për ripranim, riintegrim, sigurim të dokumenteve, menaxhim të kufijve/kufirit administrativ, migrim, azil, luftë lundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunim të policisë dhe gjyqësorit, mbrojtje të të dhënave dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.
Një ligj për bashkëpunim në menaxhimin e integruar të kufirit dhe një ligj për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Disa prej pjesëve të tjera të legjislacionit, si ligjet për emrat, për të huajt, për azil, kontroll të kufirit, financim të partive politike dhe projektligji për ndërhyrjen e telekomunikacionit, kërkojnë plotësime ose ndryshime, në mënyrë që të sigurohet se ato janë në përputhshmëri me standardet e BE-së, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Po ashtu thuhet se kapaciteti aktual i Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mbetet i kufizuar, me një ndikim potencialisht të madh në sigurinë e brendshme të BE-së.
Në raport, po ashtu flitet për sigurinë e dokumenteve, ku shprehet qartë shqetësimi për skandalin në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, me pasaporta biometrike, ku u zbulua një mitmarrje në tenderin për prodhimin e pasaportave biometrike për Kosovën. Në këtë skandal ishte e përfshirë një kompani austriake. Po ashtu në raport, thuhet se institucionet e Kosovës duhet ta luftojnë më shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe migrimi ilegal janë sfidat kryesore me të cilat Kosova do të vazhdojë të ballafaqohet edhe në të ardhmen, ka thënë ministrja e integrimeve evropiane Vlora Çitaku.
Qeveria e Kosovës nuk i ka komentuar detajet për konstatimet e raportit të Komisionit Evropian, mirëpo, thotë se përgjithësisht është e kënaqur me raportin. Kryeministri Hashim Thaçi i siguroi zyrtarët e Komisionit Evropian se qeveria e tij do të angazhojë të gjitha kapacitetet që të përmbushë kriteret e kërkuara për procesin e liberalizimit të vizave.
Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Përmbushja e kritereve, siç janë riatdhesimi dhe riintegrimi, siguria e dokumenteve, migrimi, menaxhimi i integruar i kufirit, rendi publik dhe siguria dhe liria e lëvizjes së qytetareve të Kosovës është qëllimi i institucioneve të Kosovës, tha kryeministri Thaçi.
As zyrtarët e Komisionit Evropian e as qeveria e Kosovës nuk japin ndonjë të dhënë se kur qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen.
Raporti i komisionit për punë të brendshme i Komisionit Evropian, me vlerësime për punën e institucioneve të Kosovës në kriteret për liberalizimin e vizave, është i pari që kur Kosova e mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave tetë muaj më parë.
Raporte të tilla vlerësuese për punën e institucioneve të Kosovës, do të ketë edhe në të ardhmen derisa Kosova të përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara dhe të futet në Shengenin e bardhë.