Kosova ka strehuar e shpëtuar hebrenjtë
Prishtinë, 27 janar - Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka përkujtuar 70-vjetorin e Holokaustit.
Ai në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Kosova ka dalë faqebardhë, duke shpëtuar dhe strehuar hebrenjtë. Shtatëdhjetë vjet më parë, kampet e përqendrimit të Aushvicit në Poloni u çliruan nga kontrolli nazist.
Më shumë se gjashtë milionë hebrenj u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore në krimin më makabër të kohërave moderne. Holokausti është edhe pikënisja e projektit të paqes së përhershme në Evropë nëpërmjet krijimit të BE-së. Kosova ka dalë faqebardhe duke shpëtuar hebrenjtë që kanë gjetur strehim te familjet e drejta kosovare dhe shqiptare. Prandaj sot Kosova nderon dhe kujton viktimat e Holokaustit, duke rikonfirmuar edhe vendin tonë të pamohueshëm në familjen e kombeve euroatlantike të ndërtuar mbi gjakun e derdhur në Luftën e Dytë Botërore, ka shkruar Thaçi.