Kosova ka objektiv anëtarësimin në BE dhe në NATO
Prishtinë, 24 gusht - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK), në temën : Perceptimi për sigurinë në rajon dhe roli i BE-së.
Në ligjëratën e tij zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka trajtuar pesë çështje kyçe lidhur me perceptimin e sigurisë të vendit tonë por edhe të sigurisë rajonale dhe të asaj globale.
Duke trajtuar rolin e NATO-së në Kosovë dhe rajon z. Kuçi ka thënë se prezenca e KFOR-i në Kosovë ka qenë jetik . Por jo vetëm për Kosovën por edhe për qetësimin e rajonit në përgjithësi. Kosova nuk e sheh sigurinë e vetë si të izoluar nga siguria rajonale dhe ajo globale, pohoi z. Kuçi, duke shtuar se zgjidhja e sigurisë në Kosovë por edhe për rajonin nuk është vetëm në ngritjen e kapaciteteve në planin e sigurisë por në prezencën ndërkombëtare, anëtarësimin në BE dhe në NATO.
Ndërkaq duke folur për ndikimin e proceseve anëtarësuese në sigurinë e vendit Kuçi ka thënë se rol të veçantë ka edhe prezenca ndërkombëtare në vend (EULEX, ICO, KE). Raportet e ndër varshmërisë BE- SHBA kanë rol të jashtëzakonshëm në aspektet e sigurisë. SHBA luajnë një rol në sigurinë globale , evropiane por edhe të sigurisë së secilit shtet veç e veç.
Një çështje tjetër që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi është edhe aspekti i zhvillimit ekonomik ku BE ka rol dominant. Sipas z. Kuçi heqja e mureve në ekonomi ndikon edhe në qasjen për siguri duke dekurajuar forcimin e pasigurisë. Zvogëlimi i hendekut në mes të botës së të pasurve dhe të varfërve ndikon po ashtu fuqishëm në zvogëlimin e armiqësive.
Çështja e pestë dhe fundit e trajtuar nga Kuçi në AUK kishte të bënte me përcaktimin e vlerave të përbashkëta të shoqërive si kontribuuese në planin e sigurisë. Mbrojtja e vlerave të përbashkëta thotë Kuçi ndikon edhe në forcimin dhe transferin e resurseve për ato shtete në planin politik por edhe të sigurisë.
Qeveria e Kosovës ka objektiv anëtarësimin në BE dhe në NATO , duke mos lënë anash ngritjen e kapaciteteve tona në planin e sigurisë, duke ndërtuar vlera të përbashkëta me botën perëndimore dhe fqinjësi të mirë në rajon, pohoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.