16 Janar 2025

Kosova ka ngecje në depolitizimin e administratës publike

Prishtinë, 16 mars - Në konferencën për media të organizuar sot nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, u prezantua Raporti me titull "Përgatitja e Kosovës për Negociatat për MSA: Një Analizë e Arritjeve, Reformave të Ngadalta dhe Rruga Përpara".

Ky Raport ka bërë një analizë të gjendjes së përmbushjes së katër parakushteve afatshkurtra, të paraqitura në Studimin e Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën, arritja e të cilave kushtëzon hapjen e negociatave nga ana e BE-së me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).

Raporti ka ndërtuar indikatorë të veçantë për secilin kriter të Studimit të Fizibilitetit, dhe ka matur në mënyrë detajore përmbushjen e kritereve afatshkurtra dhe afatmesme.  

Ky Raport është rezultat i një monitorimi të vazhdueshëm të performancës së institucioneve të Kosovës në përmbushjen e kritereve të Studimit të Fizibilitetit të Kosovës në relacion me marrjen e datës për hapjen e negociatave për MSA-në.

Sa i përket kritereve afatshkurtra të Studimit të Fizibilitetit për Kosovën, Raporti evidenton që ato janë përmbushur nga institucionet e Kosovës, pavarësisht faktit që këto të fundit është dashur që të njëjtat t’i përmbushin në mesin e muajit Dhjetor 2012.

Megjithëse me një vonesë të shtuar, Raporti tregon që Komisioni Evropian duhet të vlerësoj sa më shpejtë përmbushjen e kritereve afatshkurtra, dhe t’i propozoj Këshillit të Ministrave të BE-së marrjen e mandatit për negocimin e MSA-së me Kosovën.

Edhe përkundër faktit që kriteret afatshkurtra të Studimit të Fizibilitetit janë përmbushur, duhet thënë që kriteret në fjalë kanë qenë thjeshtë formale dhe asesi nuk reflektojnë ndonjë zhvillim substancial të reformave në fushat e caktuara.

Sa i përket kritereve afatmesme , të cilat paraqiten në formë të theksuar në Konkluzat e Këshillit të Ministrave të BE-së në Dhjetor të vitit 2012, Raporti tregon që Kosova nuk ka bërë progres, dhe për më tepër, ka ngecje të theksuara në përmbushjen e kriterit të reformimit dhe depolitizimit të administratës publike, të konsolidimit të gjendjes së zbatimit të ligjit dhe efektshmërisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës së gjyqësorit, lirisë së shprehjes dhe të dizajnimit të një strategjie të komunikimit me qytetarët e veriut të Kosovës.

Siç tregon Raporti, arritja e kritereve afatmesme nga Qeveria e Kosovës është duke ngecur, dhe nuk ka shenja pozitive për një lëvizje të shpejtë në këtë drejtim.

Në këtë drejtim, Raporti tregon që duhet të rritet dukshëm serioziteti i Qeverisë së Kosovës në zbatimit e kritereve afatmesme në periudhën e ardhshme një vjeçare, dhe të tregohet gatishmëri në implementimin e kërkesave që do të dalin nga procesi i negocimit të MSA-së.

Gjendja aktuale e qeverisjes në Kosovë nuk garanton që Kosova të mund ta përmbyll negocimin e MSA-së për një kohë të shkurtër, për aq kohë sa institucionet e Kosovës nuk tregojnë gatishmëri në zbatimin e reformave kyçe në administratën publike, gjyqësor dhe mekanizmat institucional anti-korrupsion.

Raporti në fund rekomandon që Komisioni Evropian duhet që të rekomandoj marrjen e mandatit për negocimin e MSA-së me Kosovën në mbledhjen pranverore të Këshillit të BE-së, në mënyrë që të mos i shkaktoj vonesa tjera burokratike Kosovës në këtë proces.

Raporti po ashtu rekomandon që Qeveria e Kosovës të tregoj seriozitet dhe të merr përgjegjësinë ligjore në depolitizimin dhe reformimin e administratës publike, të fuqizoj dhe zbatoj legjislacionin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke treguar evidencë konkrete në këtë drejtim, të fuqizoj pozitën e gjyqësorit dhe prokurorisë publike, duke u garantuar atyre pavarësi të plotë në ushtrimin e funksioneve të tyre, dhe të ofroj gatishmëri politike për luftimin e vjedhjes së votave në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe të përgjithshme në Kosovë.

Rol kyc në këtë proces sipas raportit duhet të ketë edhe Kuvendi i Kosovës, i cili duhet të ushtroj në mënyrë serioze kontrollin e Qeverisë në fushën e sigurisë publike, dhe të zgjeroj pavarësinë e tij financiare ndaj Qeverisë;

Qeveria e Kosovës të përgatis mekanizmin e brendshëm për negocimin e MSA-së me Komisionin Evropian, duke i bërë gati ekipet profesionale dhe strukturat politike për këtë proces.

Qeveria e Kosovës duhet të tregohet e gatshme për të dhënë përgjegjësi publike në këtë proces, duke lejuar pjesëmarrje të medias dhe shoqërisë civile në tërë procesin e monitorimit të zbatimit të kritereve përkatëse.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)