Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë
Prishtinë, 4 janar - Ish-kryeadministratori i OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i tha Radios Evropa e Lirë se lidershipi në Kosovë është i jashtëkohshëm dhe jashtë realitetit.
\"Mendoj se fatkeqësisht Kosova ka gjeneratën e njëjtë të udhëheqësve politikë që ishin në pushtet ose afër tij, madje edhe para pavarësisë. Janë të njëjtit. Shikojini fotografitë e tyre dhe janë të njëjtit. Këta udhëheqës politikë, unë besoj, janë jashtë kohe dhe jashtë realitetit. Dhe prandaj për mua Kosova, dhe kjo ndodh edhe me vendet e tjera në Evropë, por në veçanti Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë\", ka theksuar Petersen.
Ai tha se Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë, meqë siç tha liderët e sotëm nuk po tregojnë asnjë vizion përveç vullnetit për të qëndruar në pushtet.
\"Është Vetëvendosja, ndoshta gjeneratën e re por, me keqardhje e them se Vetëvendosja shumë shpesh vepron si rrënuese në vend të ndërtueses së shoqërisë. Prandaj, udhëheqja politike është jashtë realitetit dhe ata ende nuk po i kuptojnë porositë se çfarë duhet të adresojnë për të ecur përpara, p.sh në çështjen e liberalizimit të vizave\", ka shtuar me tutje Petersen.
Gjithë atë që e bëjnë është se kur kthehen nga Brukseli qytetarëve ua shpërndajnë thashethemet e rreme se liberalizimi i vizave do të bëhet brenda një muaji, ose fjalë të tjera, dhe natyrisht ne të gjithë e dimë se kjo nuk do të ndodh.
Në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, Soren Jessen Petersen, tha se Kosova vazhdon të përballet me të njëjtat probleme sikur edhe shumë vite më parë; me krimin e organizuar, korrupsionin dhe ndërlidhur me këtë edhe mungesën e zhvillimit ekonomik.
Ai tha se BE-ja duhet të jetë më e qartë ndaj Serbisë duke ia bërë me dije se nëse ajo do që të ecë drejt integrimeve evropiane duhet të ndalojë destabilizimin e Kosovës, posaçërisht përmes ndalimit të veprimeve në veri.
Jessen Petersen ka qenë Përfaqësues i Posacëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, ndërmjet viteve 2004 dhe 2006, në kohën kur kanë filluar edhe bisedat në Vjenë për statusin politik të Kosovës, me ndërmjetësimin e Presidentit Ahtisaari.
/REL/