Kosova i ka tejkaluar tensionet politike
Prishtinë, 28 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ambasadorin e Suedisë në Republikën e Maqedonisë, jorezident për Kosovën, Mats Staffansson.
Presidenti Thaçi tha se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ka ndikuar pozitivisht në dialogun politik brenda Kosovës, pasi që partitë e tërë spektrit politik janë ulur të bisedojnë për zbatimin e MSA-së.
Tani po presim rekomandimin për liberalizimin e vizave, ka thënë presidenti Thaçi, i cili shtoi se prioritetet e presidencës sime do të jenë sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe funksionimi demokratik i institucioneve të shtetit.
Nga ana tjetër, ambasadori suedez, Mats Staffansson, përgëzoi presidentin Thaçi që Kosova ka tejkaluar tensionet politike dhe shtoi se tani vëmendja duhet të kthehet te fuqizimi i institucioneve të Kosovës.
Presidenti Thaçi u shpreh se do të punojë për promovimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, se do të mbështes dialogun me Serbinë dhe dialogun konstruktiv me Bashkimin Evropian.