Kosova hedh poshtë ekzistencën e një draftmarrëveshjeje
Prishtinë, 18 mars - Dokumenti i publikuar nga mediet serbe, i cili cilësohet si propozim i Bashkimit Evropian (BE) për tu nënshkruar si marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, mohohet kategorikisht nga Prishtina zyrtare.
Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës të dielën e kanë hedhur poshtë ekzistencën e një draftmarrëveshjeje të tillë, ndërsa kanë theksuar se dokumenti në fjalë është jovalid.
Draft-marrëveshja e nxjerrë nga mediet serbe përmban dhjetë pika që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemit të veriut, ku, përveç tjerash, thuhet se Bashkimi Evropian dhe Prishtina zyrtare propozojnë që në veri të Kosovës serbëve tiu lejohet formimi i një institucioni të ri, i cili do të quhet Rajoni Evropian Veriu i Kosovës, në vend të Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin e kërkon Beogradi zyrtar.
Gjithnjë sipas këtij dokumenti, Rajoni Evropian Veriu i Kosovës, parasheh edhe krijimin e një Gjykate të Apelit, e cila thuhet se do t;u përgjigjet institucioneve të Kosovës.
/zëri/