Kosova gjithmonë ka besuar në drejtësinë ndërkombëtare
Prishtinë, 20 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përcjell më vëmendje të veçantë procesin në Tribunalin e Hagës ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Harandinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit kanë respektuar çdo bashkëpunim me Tribunalin e Hagës dhe në këtë kuadër Republika e Kosovës është shembull i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.
E ritheksojmë se Qeveria dhe populli i Kosovës gjithmonë kanë besuar në drejtësinë ndërkombëtare dhe në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush, e as nga politika.
Deklaratat e zyrtarëve të lartë institucionalë të Serbisë janë tendencë për të ndikuar në vendimin e Tribunalit të Hagës për rastin e Haradinaj.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë e kujdesshme në deklarimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë.
"Kërkojmë që edhe autoritetet e Serbisë dhe të tjerët të jenë të përmbajtur dhe të mos tentojnë të ndikojnë në vendimet gjyqësore."
Qeveria e Republikës së Kosovës beson se Tribunali i Hagës do të merr vendim të drejtë dhe të pandikuar.