Kosova garanton të drejta të barabarta te të gjitha komuniteteve
Prishtinë, 11 tetor - Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, priti në takim Raportuesen Speciale për të Drejtat Kulturore të Kombeve të Bashkuara, znj. Karima Bennoune.
Zëvendëskryeministri Kuçi e njoftoi znj. Bennoune se Republika e Kosovës është shtet që garanton të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve, dhe respektimin e të drejtave religjioze dhe kulturore pa diskriminim.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë garantohet me Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin në fuqi dhe ka bazamentin e mbrojtjes qysh në Planin e Ahtisarit. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të garantojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo religjioze, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi dhe znj. Bennoune diskutuan për rëndësinë e kulturës si faktor në krijimin e një ambienti të qetë dhe në harmoni për bashkëjetesë për të gjitha komunitetet.
Zëvendëskryeministri Kuçi potencoi se Qeveria e Kosovës ka perspektivë dhe orientim të qartë proevropian, ku të drejtat kulturore dhe religjioze të të gjitha komuniteteve mbrohen dhe garantohen gjithmonë duke respektuar laicitetin e shtetit.