Kosova fillon aktivitet për shënimin e Ditës së Evropës
Prishtinë, 8 maj - Me rastin e Javës së Evropës, Komisioni për Integrime Evropiane, në bashkëpunim me GIZ-in organizon tryezën e rrumbullakët “Lidhja e Rinisë me Integrimet Evropiane”.
Në këtë aktivitet, do të flasin përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Gjermane në Kosovë, Ministria e Integrimit Evropian, si dhe gjashtë përfaqësues të rinj nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Po sot Fakulteti Juridik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të Kosovës organizon konferencë me temë “Sa i sigurt është Bashkimi Evropian në rrugëtimin e tij”.
Gjithashtu për nder të Ditës së Evropës, në UBT do të ligjërojë zëvendësministrja e Ministrisë për Integrime Evropiane, Anila Statovci lidhur me procesin e integrimit evropian, ku fokusi do të jetë tek proceset e zhvilluara për integrimin e Kosovës në BE.