Kosova është pjesë e rëndësishme e historisë së NATO-s
Prishtinë, 9 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë dhe ishte folës në seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme.
Në hyrje të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se NATO-ja, si një organizatë e dizajnuar për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin dhe për të parandaluar konfliktet, vazhdon të mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global.
Në ambientin e sotëm global të sigurisë, vlerat demokratike dhe shoqëria njerëzore janë duke u sfiduar seriozisht nga shpërfaqja e ideve të vjetra por jo të vdekura siç janë hegjemonizmi dhe fashizmi, u shpreh kryeministri Kurti.
“Politika ekspansioniste dhe militariste e Federatës Ruse, tendenca kineze për hegjemoni ushtarake regjionale dhe hegjemoni ekonomike globale, përpjekja iraniane për ndryshim te ekuilibrit të forcave në Lindjen e mesme si dhe kërcënimi militarist i Koresë së Veriut ndaj Lindjes së largët, janë treguesit më të mirë se sa serioze dhe e brishtë është situata e sigurisë në nivel global”, veçoi ai.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë Seminar, kryeministri Kurti përmendi edhe Ballkanin perëndimor si regjion me shumë probleme të pazgjidhura, duke thënë se jo vetëm që nuk është imun por është tejet i cenueshëm në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë.
Lidershipi politik i Serbisë, siç potencoi ai, ka maksimizuar mundësinë që i ka dhënë ndryshimi i ambientit strategjik të sigurisë, për të shtyrë përpara interesin e saj parësor për një Serbi si homogjeni regjionale.
Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Në këtë aspekt, kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritetet e saj kryesore ka promovimin e vlerave demokratike, angazhimin diplomatik për përafrim me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s.
Në këtë frymë, kryeministri veçoi se në vitin 2022 ka ndarë buxhet prej 102 milionësh për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo shifër, siç deklaroi ai, shënon rritje prej 52% të kësaj linje buxhetore në krahasim me vitin e kaluar dhe synojmë që brenda mandatit të kësaj qeverie të arrijmë përqindjen prej 2% të GDP që është një standard i pashkruar për vendet e NATO-s.
Për më tepër, Qeveria e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e përkushtuar për të kompletuar aspektin ligjor për të mundësuar zhvillimin e FSK-së në përputhje me ushtritë e vendeve të NATO-s.
Kryeministri Kurti përmendi angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndërtimin dhe fuqizimin e saj përmes trajnimeve të ndryshme dhe nën mbikëqyrjen e parterëve të NATO-s, duke veçuar pjesëmarrjen në ushtrimin “Defender Europe 21” dhe bashkëzbarkimin FSK-së me njësitë e Gardës Kombëtare të Iowas-s në lindjen e mesme.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në veçanti institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë, do të vazhdojnë të zhvillohen, modernizohen dhe përgatiten bashkë me partnerët tanë të NATO-s me synim që në një të ardhme të afërt, vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të jap kontribut në promovimin e vlerave demokratike dhe paqen e sigurinë në botë.