Kosova është e sigurt në perspektivën e saj evropiane
Prishtinë, 10 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim komisionerin evropian për migrim, çështje të brendshme dhe shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos.
Presidentja Jahjaga me komisionerin Avramopoulos bisedoi për dialogun për liberalizim të vizave, migrimin ilegal, konsolidimin e sundimit të ligjit dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit.
Ajo tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave dhe se prioritet për të gjithë qytetarët pa dallim është integrimi në Bashkimin Evropian, prandaj vendi ynë duhet të ketë perspektivë të qartë evropiane.
Sa i përket çështjes së migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve anëtare të BE-së, Presidentja Jahjaga e njoftoi z. Avramopoulos për angazhimet konkrete të institucioneve për ndërprerjen e kësaj dukurie.
Komisioneri evropian për migrim, çështje të brendshme dhe shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos, e përgëzoi Presidenten Jahjaga për angazhimin e saj për të adresuar migrimin ilegal dhe vendosjen e dialogut të drejtpërdrejt me qytetarët.
Ai theksoi se Kosova është e sigurt në perspektivën e saj evropiane dhe pret që përmbushen të gjitha kriteret e përcaktuara që do të mundësojnë liberalizimin e vizave.
Ai tha se po kthehet në Bruksel shumë më optimist për progresin e arritur në agjendën evropiane.