22 Dhjetor 2024

Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian

Prishtinë, 18 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan.

Kryeministri Kurti e falënderoi z.Sullivan për kontributin dhe mbështetjen për vendin tonë, dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Duke biseduar për aspektin e sigurisë, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Kryeministri theksoi stabilitet institucional, sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vendin tonë. Besimi i lartë në Qeveri është reflektuar edhe në përmirësimin vjetor rekord për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të raportit të Transparency International. Po ashtu, Kosova u rendit e para në Indeksin e Sundimit të Ligjit nga World Justice dhe mori vlerësimin më të mirë për nivelin e krimit të organizuar dhe qëndrueshmërinë ndaj kësaj dukurie në Indeksin Global të Krimit të Organizuar, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Duke theksuar se Qeveria e Kosovës është e vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara, kryeministri Kurti ritheksoi se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

Gjatë takimit u diskutua për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon. 

U bisedua për rreshtimin e Republikës së Kosovës me ShBA-në dhe botën demokratike në dënimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. 

Z. Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për refugjatët afganë dhe për strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)