22 Janar 2025

Kosova është e përkushtuar në dialogun me Serbinë

Prishtinë, 17 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim anëtarin e komitetit për marrëdhënie të jashtme të Senatit të SHBA-së, senatorin e Connecticut, Chris Murphy, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart rolin e qeverisë së SHBA-së, të Senatit dhe të Kongresit të SHBA-së për Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe theksoi se të arriturat e Kosovës në 6 vjetët e pavarësisë së saj janë ngusht të lidhura me angazhimin dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-së, ashtu siç kanë qenë të lidhura edhe me lirinë dhe paqen që sot gëzojnë qytetarët e vendit.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova si shtet i ri dhe gjithëpërfshirës po e konsolidon demokracinë e saj të brendshme, dhe gjithashtu edhe përfaqësimin e saj ndërkombëtar dhe është shndërruar në një faktor të paqes e stabilitetit dhe të fqinjësisë së mirë me të gjtiha vendet e rajonit, përfshirë edhe Republikën e Serbisë.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar në dialogun me Republikën e Serbisë, si mënyrën më të mirë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për të hapur rrugën e integrimeve me BE-në.  

Presidentja Jahjaga theksoi se rezultatet e dialogut mund të gjykohen vetëm përmes përmbushjes së plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura përgjatë procesit të lehtësuar nga BE-ja dhe përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE duhet të kushtëzohet me përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e interesuar që të përmbyllë këtë process me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura, me qëllim që të dyja vendet të ecin drejt BE-së në rrugët e tyre individuale, sepse BE-ja për Kosovën dhe njëkohësisht edhe për vendet e rajonit nuk ka alternativë.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka arritur përparime të mëdha dhe është e përqendruar në kryerjen e reformave të thella të saj të brendshme, në ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe posaçërisht në ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve të saj të komuniteteve të ndryshme.

Presidentja e Republikës së Kosovës e njoftoi senatorin Murphy edhe me zhvillimet aktuale, me theks të posaçëm për nyjën institucionale, duke theksuar se Kosova ka mbajtur zgjedhje të mira, të lira, demokratike e gjithëpërfshirëse.

Ajo tha se Kosova ka treguar deri tani pjekuri politike dhe respektim të kuadrit kushtetues por tha se ky impas i krijuar institucional tani po i dëmton interesat e Kosovës edhe brenda edhe në skenën ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga tha se në rolin e lehtësuesit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare ka filluar takimet me liderët për të gjetur zgjidhjen për institucionet e qëndrueshme, dhe se ua ka bërë me dije pozitën në të cilën sot ndodhet Kosova dhe gjithsesi edhe obligimet që ka vendi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)