Kosova edhe me një konsullatë në Iowa të SHBA-së
Prishtinë, 14 janar - Për herë të parë në historinë e Iowa-s do të hapet një zyrë e huaj diplomatike, Republika e Kosovës planifikon të hapë konsullatën në qendër të qytetit Des Moines më 29 janar, njofton radioja publike, Radio Iowa.
Pra Kosova, pas Ambasadës në Washington DC dhe konsullatës në New York, tani do të ketë edhe një konsullatë në Iowa, shtetit me të cilin Kosova është binjakëzuar më 2013 me një akt ceremonial të nënshkruar nga presidentja e Kosovës dhe Guvernatori i Iowa-s. Partneriteti midis Iowa-s dhe Kosovës është rezultat i përzgjedhjes nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, atij të Mbrojtjes dhe Zyrës së Gardës Kombëtare.
Sipas Kim Heidemann, drejtore ekzekutive e Shteteve të binjakëzuara, konsullata do të jetë një zyrë ku qytetarët kompanitë, kushdo nga çfarëdo sektori që është interesuar do të mësojë për dhe çfarë mund të ofrojë Kosova.
Njëkohësisht konsullata do të jetë edhe një dritare e Kosovës në këtë shtet amerikan. Në vizitat e mëhershme reciproke të zyrtarëve të Iowa-s dhe Kosovës janë identifikuar shumë mundësi për këmbime midis dy vendeve në bujqësi, në arsim dhe në fushën e biznesit dhe industrisë.
Me një sipërfaqe 13 herë më e madhe se Kosova dhe me mbi 3 milion banorë, Iowa paraqet një mundësi të jashtëzakonshme të zhvillimit ekonomik dhe thellimit të marrëdhënieve të mëtejshme midis Kosovës dhe SHBA në të gjitha fushat. Konsullata do të jetë në një hapësirë rreth 100 metra katrorë në një ndërtesë pesë-katëshe, në qendër në pjesën historike të qytetit Des Moines.
/RTK/