Kosova e zaptuar nga krimi i organizuar

Prishtinë, 11 qershor - Publicisti Veton Surroi pas më shumë se dy vjet heshtje për zhvillimet politike, shpreh mllefin e tij për degradimin e Kosovës në vazhdimësi.
Ai thotë se për 14 vjet pas përfundimit të luftës kanë avancuar vetëm fatet personale e materiale të kastës politike e jo edhe fatet e njerëzve të rëndomtë.
Surroi, i cili ka qenë i përfshirë në disa procese negociatore me Serbinë, vlerëson se marrëveshja e fundit e arritur mes dy vendeve është vetëm marrëveshja e parë dhe se Kosova edhe për shumë kohë do të ketë punë me Serbinë.
Gjatë një interviste për gazetën Zëri, autori i librit më të shitur në Panairin e fundit të Librit në Prishtinë, teksa flet për titullin e romanit Miliarderi, shton se qëllimi i personazheve mund të jetë që të krijojnë një kuptim të tranzicionit, ku sikur edhe paraja, nis devalvimi i jetës në tërësi.
Sipas tij, në përgjithësi shqiptarët në shekullin XXI janë i vetmi popull evropian, i cili ende ballafaqohet me kalimin e pragut normal demokratik, me kalimin në zgjedhjet e lira.
/Zëri/