Kosova e Shqipëria me konsullata të përbashkëta në Milano e Kanberra
Prishtinë, 14 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Pas takimit, dy ministrat kanë nënshkruar një marrëveshje për përfaqësim të përbashkët konsullor, e cila fillimisht do të implementohet në konsullatat në Milano dhe në Kanberra të Australisë.
Më tej, ministri Hoxhaj dhe ministri Bushati kanë mbajtur një konferencë për medie, gjatë të cilës kanë shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri Enver Hoxhaj tha se kjo vizitë është rikonfirmim i agjendës bilaterale ndërmjet dy shteteve, duke falënderuar Bushatin për angazhimin e fuqishëm në mbështetje edhe në rrafshin multilateral të Kosovës. Kjo mbështetje ka të bëj me njohjet, me anëtarësimin e Kosovës në organizatat të ndryshime rajonale, evropiane dhe globale, por ka të bëj edhe me agjendën evropiane të Republikës së Kosovës dhe të gjitha çështjet të cilat janë pjesë e asaj se çka definohet si politikë e jashtme, tha Hoxhaj.
Duke iu referuar deklaratës së nënshkruar në Prizren për partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve, ministri Hoxhaj tha se ajo ka hapur një kaptinë të re të relacioneve. Me këtë rast, ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës sot do të marrë vendim sa i përket fondit për maternitetin e Luginës së Preshevës. Hoxhaj po ashtu tha se ka progres shumë të madh sa i përket hapjes së konsullatave të përbashkëta me nënshkrimin e marrëveshjes dhe se së shpejti në Milano dhe në Kanberra në Australi do të ketë konsullata të përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë. Por, ne do të lëvizim përtej këtyre dy vendeve dhe do të shohim se edhe në cilat vende tjera do të kemi mundësi që të kemi shërbime konsullore të përbashkëta, tha Hoxhaj, duke bërë të ditur se ka progres të madh edhe lidhur me TVSH-në e librit, hartimin e një kalendari të përbashkët kulturor, legjislacionin dhe sa i përket krijimit të përbashkët të tregut energjetik.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka shtuar se ekonomia është një fushë qendrore e këtij bashkëpunimi dhe se projektet e përbashkëta mund të bëjnë që Shqipëria dhe Kosova të konkurrojnë në rajon, në Evropë dhe më gjerë. Shqipëria për ne është një partner i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal dhe sot kemi biseduar për atë sesi ta kemi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në disa prej organizatave të rëndësishme rajonale, tha ai, duke shtuar se pa Kosovën nuk ka bashkëpunim rajonal. Ministri Hoxhaj bëri të ditur gjithashtu se gjatë takimit me ministrin Bushati është biseduar edhe për projektin TAP dhe për Forcat e Armatosura të Kosovës, etj.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, veçoi bashkëpunimin bilateral, duke iu referuar mbledhjes së Prizrenit dhe nënshkrimit të dokumentit për partneritetin strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ai po ashtu foli edhe për mbledhjen e ardhshme që është planifikuar të mbahet në Vlorë, duke e cilësuar si një mundësi të mirë për dy ministrat e jashtëm si koordinator të qeverive përkatëse, për të rishikuar progresin dhe për të shikuar mangësitë që mund të jenë hasur në praktikë dhe hapat që mund të jenë hedhur përpara për mbledhjen e radhës. Është një formë bashkëpunimi në mes të Shqipërisë dhe Kosovës që është strategjike për ne, është stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë evropiane dhe euroatlantike dhe është në frymën e projektimit të faktorit shqiptar në gjithë pozitivitetin e tij të mundshëm për të avancuar rajonin drejt rrjedhave euroatlantike, tha ministri Bushati.
Ai po ashtu theksoi se 2014 është vit i rëndësishëm për proceset e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe Shqipërisë, duke përshëndetur në emër të Qeverisë së Shqipërisë hapat e matur të Qeverisë së Kosovës për transformimin e FSK-së. Si vend anëtar i NATO-së kemi kërkuar dhe do të kërkojmë për një marrëdhënie institucionale të NATO-së me Kosovën, ashtu siç e ka BE-ja me Kosovën pavarësisht procesit të njohjeve, një marrëdhënie e cila nuk do të futej në stagnacion për shkak të procesit të njohjeve, tha Bushati, duke shtuar se transformimi i FSK-së është një kontribut i Kosovës për sigurinë në rajon.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë po ashtu tha se është i rëndësishëm përfundimi i MSA-së dhe për të mos lënë më asnjë gropë të zezë për lëvizjen pa viza në hapësirën schengen, duke theksuar se i gjithë veprimi i dy shteteve duhet të jetë i sinkronizuar që të përfundohen këto procese jashtëzakonisht të rëndësishme që do të hapin një etapë të re të marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe me vendet tjera të rajonit.
Bushati dhe Hoxhaj kanë biseduar edhe për zhvillimet në rajon, me çrast ministri i Jashtëm i Shqipërisë veçoi ecurinë e nismave rajonale, veçanërisht të atyre nismave në të cilat Shqipëria është kryesuese, duke bërë të ditur se shteti shqiptar ka edhe një kalendar aktivitetesh me relevancë politike, ku pritet të ketë rezultate sa i takon Kosovës.
Pasdite, ministri Hoxhaj dhe ministri Bushati do të mbajnë nga një ligjëratë, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës, me temën Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri si një shembull i fqinjësisë konstruktive.