Kosova e Shqipëria me bashkëpunim për agjendën evropiane
Prishtinë, 15 prill - Ministrja e Integrimit Evropian, priti sot në takim një delegacion nga Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, i cili udhëhiqej nga kryetarja e këtij komisioni, Arta Dade.
Ministrja Çitaku vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, duke theksuar nevojën e zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Ministrja Çitaku tha se Kosova ka shënuar përparime të theksuara në rrugën e saj evropiane, duke krijuar një shtetit ligjor dhe gjithëpërfshirës, ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit.
Ministrja Çitaku ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Shqipërinë , duke theksuar interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të hap rrugë të reja bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë si vend mik i Kosovës, në intensifikimin e përbashkët të punës drejtë Integrimit në Bashkimin Evropian.
Ajo tha se Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën, përmes shkëmbimit të përvojave, në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Arta Dade, vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë.
Ajo shprehu përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar institucionet e Kosovës në procesin e reformave drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veri-Atlantike.