Kosova e Shqipëria do të nënshkruajnë protokoll të bashkëpunimit
Prishtinë, 26 janar - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, ka bërë të ditur se gjatë muajit shkurt, dy ministrat do të nënshkruajnë një protokoll të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Ministri Hoxhaj tha se ky dokument gjithëpërfshirës do ti hap udhë një partneriteti strategjik dhe do të mundësojë thellimin e bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë, arsimit, shkencës, kulturës, e deri te bashkëpunimi në nivel lokal.
Ai po ashtu tha se me ministrin Panariti kanë diskutuar gjerësisht për situatën në Luginën e Preshevës.
Ne si Qeveri e Kosovës jemi shumë të shqetësuar për faktin se shqiptarët në Luginë janë qytetarët më të diskriminuar dhe më të shtypur në Evropë, tha Hoxhaj, duke shtuar se mosintegrimi në jetën institucionale, ekonomike e sociale dhe politika sistematike e Serbisë për shpërnguljen e shqiptarëve nga trevat e tyre, paraqesin një shqetësim të vazhdueshëm.
Ministri Hoxhaj gjithashtu bëri të ditur se falë iniciativës së Shqipërisë së shpejti do të ketë një mision të OSBE-së me karakter faktmbledhës, i cili do ta analizojë situatën në Luginën e Preshevës, gjë që, siç tha ai, është një hap shumë i rëndësishëm sa i takon mbështetjes që qytetarët atje do ta kenë nga Kosova dhe Shqipëria.
Ministri i Jashtëm i Kosovë po ashtu ka falënderuar homologun nga Shqipëria për përkrahjen e ofruar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Arritja e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshjes për doganat dhe emërimi i ambasadorit Lulzim Peci, si ambasador i Republikës së Kosovës në Beograd, janë tre hapa të rëndësishëm që do të shpërbëjnë si një kornizë e rëndësishme që në një të ardhme jo të largët të vendosim edhe marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Serbisë, tha Hoxhaj.
Ai ka kërkuar edhe mbështetjen e Shqipërisë sa i takon agjendës evropiane, konkretisht në liberalizimin e vizave.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme, se ato po njohin një dinamikë gjithnjë në rritje dhe se së shpejti do të njohin një hov të paparë në bashkëpunimin ekonomik.
Tashmë ne jemi të projektuar qartazi në intensifikimin e këtij bashkëpunimi dhe natyrisht nënshkrimi i marrëveshjes në shkurt do të hap një sipar të ri në këtë dinamizëm të madh të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, jo vetëm në sferën ekonomike por edhe politike, kulturor e më gjerë, ka thënë Panariti.
Ministri Panariti ka folur edhe për situatën në Luginën e Preshevës, duke thënë se qëndrimi i Shqipërisë ka qenë i qartë duke dënuar aktet e njëanshme e të papërgjegjshme nga ana e autoriteteve serbe për largimin e monumentit historik të shqiptarëve të Preshevës.
Ai ka kërkuar nisjen sa më parë të dialogut gjithëpërfshirës ndërmjet autoriteteve serbe dhe autoriteteve shqiptare të Luginës së Preshevës.
E kam bërë të qartë edhe në emër të Qeverisë shqiptare se përmirësimi i situatës ekonomike dhe sociale dhe i të drejtave të përfaqësimit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të jetë vendimtar edhe në ecurinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë, tha Panariti.
Ai po ashtu ka theksuar vullnetin e diplomacisë shqiptare për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës, duke thënë se së shpejti do të arrihet edhe numri 100 i njohjeve, e cila do të hapte një fazë të re për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Sa i takon hapjes së zyrës ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd, ministri Enver Hoxhaj ka thënë se përfaqësimi i Kosovës do të jetë në rang ambasadori.
Kjo zyrë do ta përfaqësojë Kosovën edhe në rrafshin politik dhe do të ketë edhe përfaqësim të të gjitha interesave të shtetit të Kosovës në Serbi, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimeve konsullore dhe do të jetë një kanal i fuqishëm i komunikimi për bashkëpunim në fusha të ndryshme të jetës, tha Hoxhaj, duke bërë të ditur se MPJ e ka hartuar një koncept të detajuara sa i takon misionit dhe funksionimit të kësaj zyre, mënyrës së akreditimit dhe stafit të