04 Maj 2024

Kosova e Shqipëria bashkë në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Prishtinë, 27 janar - Koordinimi mes dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si dhe bashkëpunimi i rregullt mes dy ministrive, kanë qenë temë diskutimi në takimin që sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka zhvilluar në Prishtinë me homologun nga Shqipëria, Aldo Bumçi.

Ministri Bumçi po realizon vizitën e parë zyrtare në Kosovë, dhe do të ketë takime edhe me zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë të Kosovës.

Në konferencën për shtyp, pas takimit, ministri Krasniqi tha se është synim i të dy shteteve që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë, në mënyrë që shënimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të bëhet në mënyrë sa më dinjitoze dhe i shtrirë në gjithë hapësirat ku ka shqiptarë. Përveç kësaj, tha ministri Krasniqi, është biseduar edhe për bashkëpunimin e rregullt që kanë, që duhet thelluar në të ardhmen, në mes të dy ministrive.

“Kosova padyshim që do të ketë kontributin dhe rolin e vet në shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ne u pajtuam që gjatë gjithë këtij viti të kemi një koordinim të angazhimeve duke ndihmuar edhe bashkëpunimin institucional mes institucioneve tona vartëse të kulturës, por gjithsesi duke mëtuar që kjo festë të mos jetë një festë që do të ndahet në dy kryeqendra, por një festë gjithëkombëtare që do të shtrihet në qytete tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe qytete tjera në viset e banuara me shqiptarë”, tha ministri Krasniqi.

Ai deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e veta në çfarëdo aspekti që ia jep plani për shënimin e këtij përvjetori.

“Dy qeveritë tashmë janë në koordinim të të gjitha aktiviteteve. Festa do të fillojë shpejt dhe do të ketë një kalendar me aktivitete që do të zhvillohen gjithandej në hapësirën shqiptare. Qeveria e Kosovës do të marrë përgjegjësinë për të ndarë fonde dhe do të mbështesim edhe institucione tjera në përgatitjen dhe implementimin e projekteve. E rëndësishme është që ka një koordinim institucional dhe nga muaji shkurt do të kemi një konkretizim të kalendarit të ngjarjeve për të shënuar 100 vjetorin”, shtoi ministri Krasniqi.

Nga ana e tij, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, z. Aldo Bumçi, tha se fakti se një shënim i 100 vjetorit do të bëhet bashkërisht tregon edhe simbolika që logoja e 100 vjetorit është dizajnuar nga një artist nga Kosova. Ai shprehu falënderime për ministrin Krasniqi për gatishmërinë e plotë që aktivitetet të jenë të organizuara në mënyrën më të mirë.

“Ky është një vit i rëndësishëm, ku ne duhet të kujtojmë ngjarje dhe personalitete. Kosova ka shkruar vitet më të lavdishme në historinë tonë kombëtare. Kontributi që kanë dhënë shqiptarët e Kosovës i ka hapur rrugë pavarësisë së Shqipërisë. Prishtina krahas Tiranës, Vlorës do të jetë një nga qytetet kryesore ku do të mbahen këto manifestime kryesore”, tha ai.

Përveç detajeve të organizimit dhe koordinimit, ministrat Krasniqi e Bumçi nga gazetarët janë pyetur edhe rreth idesë për formimin e një lige të përbashkët të futbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë, kërkesë e cila ditë më parë u refuzua nga FIFA.

Ministri Krasniqi tha se përkrahë plotësisht këtë ide, por shtoi se praktikisht dhe legalisht mundësitë nuk ekzistojnë për momentin, duke shfaqur kështu shpresën se në një të ardhme të afërt do të ketë hapa pozitivë në këtë drejtim.

Edhe ministri Bumçi u shpreh pro kësaj ideje, por përmendi pamundësitë legale që kjo të ndodhë tani për tani.

Ai shtoi se në këto rrethana duhet të shtohen aktivitetet sportive mes klubeve nga Kosova e Shqipëria.

Në takimin mes ministrave është diskutuar edhe për futjen e Eposit të  Kreshnikëve nën mbrojtje të UNESCO-s si trashëgimi botërore. Ministrat u pajtuan që procesi, ashtu siç edhe është nisur bashkërisht, të ketë edhe një vazhdimësi dhe përfundim të njëjtë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)