Kosova e Serbia dy shtete të pavarura me një të kaluar të rëndë
Prishtinë, 21 maj - Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës konsideron se zgjedhja e një presidenti të ri në Serbi është zgjedhje e popullit të Republikës së Serbisë, zgjedhje e një shteti fqinj, me të cilin Kosova mëton të ndërtojë marrëdhënie korrekte fqinjësore.
\"Ne jemi dy shtete të pavarura dhe sovrane që kemi pasur një të kaluar të rëndë, por që shpresojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë\".
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës i bën thirrje presidentit të sapozgjedhur të shtetit fqinj Serbisë, ta bëjë atë që paraardhësit e tij nuk e kanë bërë; ta gjejë guximin dhe të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me Kosovën.
Kjo do të ndihmonte që të dyja shtetet e pavarura, Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, të ecin në rrugën e integrimeve evropiane dhe që popujt e të dyja vendeve të përcaktohen për të ndërtuar një të ardhme me prosperitet.