Kosova e përmbyll me sukses kryesimin njëvjeçar të SEECP-së
Prishtinë, 25 qershor - Kosova sot e përmbylli kryesimin njëvjeçar të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) me aktivitetin e fundit, takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të kësaj nisme.
Kjo ishte hera e parë që Kosova kryeson një forum rajonal i cili ka si anëtarë vendet e Evropës Juglindore.
Në takimin përmbyllës të kryesimit të Kosovës me SEECP, përveç Ministrave të vendeve anëtare të kësaj organizate, ishte prezent edhe Përfaqësuesi i Komisionarit për Zgjerim, z. Olive Varheyli.
Për shkak të masave kundër pandemisë, ky takim u mbajt në formë virtuale në një videokonferencë të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, ndërsa pas nënshkrimit të një Deklarate të Përbashkët, kryesimi i radhës me SEECP-në do t’i kalohet edhe zyrtarisht Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Të gjitha shtetet anëtare e vlerësuan lart përzgjedhjen e prioriteteve dhe kryesimin e Kosovës sidomos duke pasur parasysh rrethanat.
Përkundër faktit se çështja e Covid-19 ishte sfida më e madhe e këtij viti, Ministrja Meliza Haradinaj – Stublla, falënderoi Bashkimin e Evropian për ndihmën e ofruar për vendet e rajonit, si dhe bashkëpunimin në krijimin e lehtësirave gjatë kësaj kohe brenda nismës së Procesit të Bashkëpunimit të Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore.
Duke i uruar suksese Turqisë në kryesimin e radhës, në këtë takim u ritheksua se bashkëpunimi në nivel të Ministrave të Jashtëm në Evropën Juglindore, është i rëndësisë së veçantë dhe si i tillë duhet të vazhdojë në të gjitha proceset.