Kosova e përkushtuar për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-të
Prishtinë, 26 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti në takim kongresistët amerikanë Robert Aderholf, Bob McEwen dhe Trent Walters, të cilët gjatë qëndrimit në Kosovë, morën pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit në Prishtinë.
Ministri Hoxhaj gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për përkrahjen që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për konsolidimin dhe fuqizimin e gjithëmbarshëm të shtetësisë së Kosovës.
Hoxhaj i njoftoi kongresistët amerikanë për progresin që po arrihet në vazhdimësi në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Kongresistët amerikanë vlerësuan lartë progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen amerikane për fuqizimin e mëtutjeshëm të shtetësisë së Kosovës.
Ministri Hoxhaj dhe kongresistët amerikanë Robert Aderholf, Bob McEwen dhe Trent Walters, biseduan edhe për forcimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.
Në këtë kontekst, Hoxhaj theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministri Hoxhaj dhe kongresistët amerikanë biseduan edhe për avancimin e proceseve integruese euroatlantike të Kosovës, si dhe për proceset e anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, me çrast, Hoxhaj e vlerësoi vendimtare për Kosovën, përkrahjen amerikane në këto procese.