Kosova e pakënaqur me njohjet
Prishtinë, 28 dhjetor - Kosova nuk është e kënaqur me njohjet e pavarësisë, të cilat kanë munguar pavarësisht vlerësimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Deklarata është bërë nga ministrja e Jashtme në detyrë, Vlora Citaku, e cila ka bërë bilancin e dikasterit të saj gjatë vitit 2010.
Numri i njohjeve është ngadalësuar dhe ndikim në këtë ka pasur edhe raporti i Dick Marty, ka deklaruar Citaku.
Megjithatë, ajo ka vlerësuar se gjatë këtij viti ka pasur edhe arritje, duke e vënë theksin tek mendimi pozitiv i GJND-së dhe tek miratimi i rezolutës së re në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Në vitin 2011 Ministrinë e Jashtme e presin shumë sfida, mes të cilave më e rëndësishme është fuqizimi i pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare, ka shtuar Citaku.